Nesër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vendosë nëse do ta mandatojë sërish Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e Qeverisë, apo do të shkohet në zgjedhje.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja mund të mandatojë një tjetër emër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet.
Ani pse Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk pati votat në tentimin e parë, ai kërkoi sërish kohë. Në konferenca për shtyp, megjithatë, Kurti fliste me shumë zell për zgjedhjet e reja – madje duke paralajmëruar edhe për të tjera në prill, kur të vijë koha për zgjedhjet e presidentit të ri.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë deklaruar se nuk kanë numrat dhe të njëjtat kanë kërkuar që sa më parë, në dhjetor, të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në rast të mandatimit nga presidentja, kandidati për kryeministër ka kohë 15 ditë që në Kuvend të prezantojë programin dhe kabinetin e tij.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve. Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.









