Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka dorëzuar kallëzim penal kundër profilit në Facebook, “Lule Gjeli”, i afërt me Vetëvendosjen i cili poston përmbajtje dehumanizuese për kritikët e pushtetit. Deliu – Kodra, tha se “përmbajtjet e publikuara dhe veprimtaria e këtij profili duhet të trajtohen me përgjegjësi dhe profesionalizëm nga organet kompetente të drejtësisë”.

“Përmes këtij kallëzimi kam kërkuar që të hetohet identiteti i personit apo personave që qëndrojnë prapa këtij profili, mënyra e funksionimit të tij, si dhe çdo veprim i mundshëm i kundërligjshëm që lidhet me publikimet dhe pretendimet e bëra përmes tij”, tha Deliu – Kodra.

“Lule Gjeli”, është një profil i rremë i krijuar më 27 gusht të vitit 2020. Që nga ajo kohë, aty publikohen materiale me përmbajtje të rëndë shpifëse dhe dehumanizuese kundër kritikëve të pushtetit. Në anën tjetër, publikohen edhe postime me lavde për partinë në pushtet, Vetëvendosjen.

Sipas informatave të publikuara deri tash, prapa këtij profili qëndron një individ me emrin Gent Prokshi.

Prokuroria Speciale tanimë veçse ka nisur hetimet në lidhje me këtë çështje.