“Nuk kemi lidhje si Qeveri me këta tregtarët e energjisë”, deklaroi ndër të tjera Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e tij të dielën në Kanal 10, kur foli për çështjen e energjisë, duke tentuar që ta zhvesh plotësisht vetën dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, nga skandali në këtë sektor.
Madje, duke iu referuar ETMT Energy – kompanisë që po e dominon tregun e Kosovës aktualisht sa i përket tregtimit të energjisë – të cilës nuk ia përmendi emrin, tha se e njëjta është e lidhur me një parti opozitare.
“Tash dolën edhe disa të një partie opozitare të lidhur, po këtë ua ka shpjeguar Ministrja e Ekonomisë [Artane Rizvanolli]. Nuk ka gjë të vërtetë aty”, deklaroi Kurti.
Fjalën e ka për faktin se vëllau i pronarit të ETMT-së, është i martuar me vajzën e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Kjo, sipas Kurtit, e bën automatikisht ETMT-në pjesë të një partie opozitare.
Por, ai as nuk e përmendi, e as nuk iu përmend nga moderatori e as nga analistët fakti që ish-deputeti i partisë së tij, i cili është sërish kandidat për deputet nga radhët e VV-së në zgjedhjet e 7 qershorit, Ejup Ahmeti, është bashkëpronar me pronarin e ETMT-së në një kompani tjetër, Top Fruits.
Pikërisht ky deputet, në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, ishte pjesë e Komisionit për Ekonomi, i cili merret edhe me energji.
Kurti po ashtu as nuk foli e as nuk u pyet për lidhjet e tjera të Gjonajt, me akterë të Vetëvendosjes, siç është zëvendësministri i Ekonomisë – dikaster përgjegjës për rrymën në Kosovë – Getoar Mjeku.
Më 21 prill, VOX Kosova kishte publikuar ekskluzivisht fotografitë që ishin bërë në prill të vitit 2025 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Aty shihej Marin Gjonaj me zëvendësministrin Mjeku. Në mes të fotografisë gjendej edhe ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti.

Përkundër se faktet tashmë janë publike, Kurti insistoi se Qeveria nuk ka lidhje me tregtarët e energjisë dhe se akuzat janë vetëm opozitare.
“Akuzat po vijnë sepse janë opozitare, jo sepse janë të vërteta. Po vazhdimisht e rikthejnë, e ripërtypin këtë temë, po nuk ka gjë aty”, potencoi ai.
Kur u pyet që të tregonte se sa ka blerë Kosova energji elektrike gjatë 5 vjetëve që ai është Kryeministër, nuk pati përgjigje. “E ka shpjeguar Ministrja e Ekonomisë edhe këtë”, theksoi ai.
“Prej kujt blihet rryma?”, ishte pyetja që i pasoi, për të cilën sërish nuk pati përgjigje, madje tentoi që të ironizojë. “Në treg blihet rryma”.
Kurti nuk u përgjigj edhe kur u pyet se prej kujt po blihet më shumë rrymë. “Kosova nuk është pre e mafias energjetike siç pretendojnë opozita”, u përgjigj ai.
Opozita dhe ekspertë të energjisë kanë deklaruar se gjatë qeverisjes së Kurtit, Kosova ka importuar 1 miliard euro energji elektrike.
Ai nuk paraqiti asnjë të dhënë për ta demantuar këtë. U mjaftua të thotë se është 50 për qind më pak.
“Po tash e ka shpjeguar Ministrja Rizvanolli për atë pretendimin – është së paku 50 për qind më i lartë se sa është realisht për të cilin jemi akuzuar”, potencoi ai.
Për kompaninë ETMT, e cila po gjeneron miliona euro në baza mujore nga shitja e energjisë, VOX Kosova raportoi më 17 prill të këtij viti.
Kjo kompani nga Shqipëria është regjistruar në Kosovë në vitin 2020. U licencua për tregti me rrymë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike në shtator të vitit 2021.
Fitimet e saj multi-milionëshe filluan në pjesën e dytë të vitit 2025, ndërsa iu rritën shumëfish në fillim të këtij viti.
Sipas të dhënave që prezantoi VOX-i, ETMT-ja në Kosovë, në janarin e vitit 2025, kishte qarkullim vetëm 90 euro.
Kurse në janarin e vitit 2026, qarkullimi i arriti në 16 milionë e 179 mijë e 851 euro, për të vazhduar një muaj më vonë edhe me 8 milionë e 400 mijë të tjera për një total prej mbi 24 milionë e 500 mijë eurove në vetëm dy muaj.
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kjo kompani e ka të deklaruar vetëm një punëtor.
Pronar i ETMT-së është Marin Gjonaj.
Gjonaj është biznesmen nga Shqipëria, i përfshirë në disa skandale atje, lidhur me politikën dhe bitcoin.
Ai ka partner në një kompani deputetin e Vetëvendosjes, Ejup Ahmetin.
Te kompania TOP FRUITS në Shqipëri 50 për qind të aksioneve i ka GJONAJ GROUP HOLDINGS, kurse 50 për qind të tjera Ejup Ahmeti.









