Avokati kryesor i ish-Presidentit, Hashim Thaçi, Luka Misetiq, ka ngritur pikëpyetje mbi deklaratën e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se Presidenti francez, Emmanuel Macron, i kishte thënë se Thaçi do të merrte dënim të rëndë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën X, Misetiç ka pyetur se si e dinte Macron për dënimin e Thaçit.
“Vuçiç u takua me Presidentin francez Macron më 10 shtator në Paris, ku, sipas Vuçiç-it, atij i është thënë nga një lider evropian/botëror [lexo: Macron] se Thaçi do të merrte ‘dënim të rëndë’. Si e dinte Macroni rezultatin e gjykimit të paktën gjashtë ditë para, si dhe pse po e fliste këtë me Vuçiç-in, janë pyetje që mbesin të papërgjigjura”, ka shkruar kroati Misetiç.
Pas aktvendimit të 16 shtatorit, Misetiç ka qenë mjaft aktiv në llogarinë e tij në X. Vetëm disa ditë pas, ai e kishte kritikuar Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për vlerësimin e saj pozitiv ndaj Speciales, duke thënë se nuk është çështje e saj të paragjykohet paanshmëria e kësaj gjykate.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale dënoi me 25 vjet burgim Thaçin.
Përveç Thaçit, u dënuan edhe krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jakup Krasniqi u dënua po ashtu me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13,
Në total, ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vjet.









