Para fillimit të seancës konstituive, ka folur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Duke folur para mediave, Abdixhiku tha se në takimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur afrime në disa tema, por ende nuk është arritur pajtueshmëri për çështjen kryesore, atë të Presidentit.

“Po përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja. Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam t’i shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, deklaroi Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se takimet me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin për të arritur një marrëveshje.