Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përmendur përsëri parandalimin e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë ceremonisë së Lutjeve të Mëngjesit.

“Luftëra si ato mes Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, Armenisë dhe Azerbajxhanit. Këto janë të gjitha luftëra që i kemi ndaluar”, ka thënë Presidenti Trump gjatë fjalimit të tij.

Videon e ka shpërndarë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se Kosova “është sërish në mendje dhe në zemër të Presidentit Trump gjatë Lutjeve të Mëngjesit 🇺🇸. Kënaqësi të isha pjesë e kësaj ngjarjeje”.

Lutjet e Mëngjesit, “National Prayer Breakfast” në anglisht, është një eveniment i përvjetshëm në Washington D.C., në të cilin mblidhen udhëheqës politikë, diplomatë dhe figura fetare për lutje, reflektim dhe dialog mbi etikën, paqen dhe udhëheqjen.

Edhe figura nga Kosova kanë marrë pjesë në sesionin e sivjetshëm të këtij eventi.

Asnjë pjesëmarrës nga rreth 30 sosh nga Kosova nuk kanë qenë nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga Partia Demokratike e Kosovës pjesëmarrës kanë qenë deputetët Memli Krasniqi, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Blerat Deliu dhe disa zyrtarë tjerë, nga LDK-ja nënkryetari Lutfi Haziri, deputeti Armend Zemaj dhe disa zyrtarë tjerë e AAK-ja u përfaqësua nga kryetari i saj Ramush Haradinaj dhe deputeti Besnik Tahiri.