Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe njëherë rreth incidentit ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani, ku i njejti po pretendon se është sulmuar direkt nga Sami Lushtaku, duke kritikuar reagimin e vonuar të institucioneve të rendit dhe drejtësisë.

Kurti tha se Policia dhe Prokuroria është dashur të reagojnë shumë më shpejt ndaj rastit.

“Për përshtypjen time reagimi edhe i Policisë edhe i Prokurorisë ka qenë i vonuar. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pastaj në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë”, deklaroi Kurti.

Ai krahasoi rastin me dënimet që, sipas tij, janë shqiptuar ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për postime në rrjetet sociale.

“Ju e dini që aktivistët e Vetëvendosjes për statuse në Facebook janë dënuar me një vit e gjysmë burg. Ta shohim tash Prokuroria për ata që marrin gotë edhe përgjakin zëvendësministra, çfarë ndëshkimi do të kërkojë dhe çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, u shpreh ai.

Këto deklarime Kryeministri në detyrë i bëri në konferencën e përbashkët me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.