Këto kohët e fundit mund të kenë marrë vëmendje dallimet e mëdha të Lumir Abdixhikut me disa nga deputetët e partisë së tij, por nëse shikohet pak historik, vështirë ta gjejmë një rast tjetër ku deputetët i qëndrojnë besnikë aq fort kryetarit, përkundër se ky shëtit vazhdimisht në qëndrime.
Rasti i parë ishte krejt në fillim të mandatit.
Në mars u bë kryetar, një muaj më pas u kërkoi deputetëve të tij që ta mundësojnë zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, ani pse ajo e kishte ndarë LDK-në në gjysmë për shkak të rreshtimit me Albin Kurtin.
“Kryesia e LDK-së ka mbështetur, iniciativën e propozuar në takimi e djeshëm që LDK të vazhdojë diskutimet dhe bisedat vetëm me zonjën Osmani, si pretendente për kandidatë për Presidente të Republikës së Kosovës.” Deklaronte Abdixhiku në 2021-ten.
Ldk-ja qëndroi ne sallë. Vjosa Osmani u bë Presidente.
Veç pak më vonë e të njëjtën vit, Vjosa Osmani e shkarkoi kundërligjshëm Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së KQZ-së.
Filloi një iniciativë opozitare për ta dërguar Osmanin në Kushtetuese.
Por, Lumir Abdixhiku kërkoi nga partia që të mos bëhen pjesë e nismës kundër Osmanit. Ata e dëgjuan. Nisma dështoi.
Si presidente Osmani i shërbeu Kurtit. Këtë e tha ajo vetë. Ia caktoi edhe datën e zgjedhjeve kur iu desh atij.
Përkundër kësaj, Lumir Abdixhiku i kërkoi partisë së tij që ta përkrahin Osmanin prapë për presidente.
Partia prapë e dëgjoi. Të gjithë deputetët.
U bë e pamundur zgjedhja e Osmanit Presidente, për shkak se Kurti më nuk e donte.
Osmanit iu përfundua mandati e mbeti pa parti.
Prapë. Lumir Abdixhiku kërkoi nga deputetët e partisë që njeriun që ua copëtoi partinë dikur ta pranojnë sërish. Jo vetëm kaq. Ta bëjnë bartëse të listës. Jo vetëm kaq. T’ia pranojnë edhe krejt njerëzit që vinin me të. E jo vetëm kaq, të shkonin në zgjedhje me të si kandidate për presidente.
Prapë deputetët e LDK-së ia pranuan kërkesën Abdixhikut.
“Ky nuk është vetëm bashkim politik, Vjosë kjo është kthim në shtëpi. Prandaj mirëseerdhe në shtëpinë tënde.” I drejtohej Abdixhiku Osmanit.
Fushatën e bënë bashkë, natyrisht, në formën më të egër ndaj Albin Kurtit e Vetëvendosjes.
Deputetët e LDK-së e pranuan këtë qasje të Osmanit. E mbështetën.
Por, çuditërisht, pas zgjedhjeve, e para gjë që bënë ishte t’i uleshin Kurtit përpara.
Dhe po, prapë deputetët e LDK-së e mbështetën Abdixhikun e Osmanin në një përpjekje për të arritur marrëveshje politike për bashkëqeverisje.
Kurti nuk iu dha marrëveshje. Bisedimet dështuan.
Ama Abdixhiku tha se dëshiron t’i ndihmojë Kurtit ta zgjedh një president për qejfi.
Pa u konsultuar fare me partinë, pa e vendosur në grup parlamentar për diskutim, pa e debatuar me asnjë organ të partisë, Abdixhiku doli befasisht me Kurtin dhe tha se ky është kandidati për president, VOTOJENI.
Natyrisht këtë herë ishte mbushur kupa, dhe ata morën, një JO, nga 6 deputetët të LDK-së.
Kaq mjaftoi që Abdixhiku, të rreshtohet me Kurtin, kundër deputetëve të tij e ta filloi linçimin që hec e dije ku do ndalet.








