Hykmete Bajrami, deputete e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku LDK-ja u rendit e treta me rreth 17 për qind të votave.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme”, ka shkruar Bajrami në Facebook të mërkurën.
Të martën, edhe dega e LDK-së në Pejë, ajo në Lipjan dhe dega e dytë në Prishtinë, kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, mirëpo ai reagoi ashpër duke bërë me dije se nuk e ka ndërmend të tërhiqet.
Bajrami thekson se ka thënë edhe në janar, para zgjedhjeve të 7 qershorit, se në LDK “përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme”.
“Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë”, shtoi ajo.
Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë, Bajrami thekson se “duhet të zbatohet pa përjashtim”.
“Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme”.
Por, ajo thekson se kryetari vendosi të vazhdojë, “madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend”.
“Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë”.
Qëndrimi i saj potencon se “nuk ka ndryshuar”.
LDK-ja, vlerëson Bajrami, “ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve”. “LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!”.









