Peja, një nga qendrat kryesore të Kosovës, është pjesë e 18 qyteteve që do t’i nënshtrohen raundit të dytë të zgjedhjeve për të përcaktuar kryetarin e katër-vjeçarit të ardhshëm. Raundi i parë, që u zhvillua më 12 tetor të këtij viti, ka lënë në garë dy kandidatë: kryetarin aktual nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, dhe kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.
Raundi i parë e radhiti Muhaxherin të parin me 19 mijë e 786 vota apo 46.25%, ndërsa pas tij u radhit rivali i VV-së, Kelmendi, që mori 11 mijë e 883 vota apo 27.78%, i pasuar nga Ali Berisha i AAK-së me 7 mijë e 790 vota apo 18.21% dhe Arta Nallbani e PDK-së që mori gjithsej 2 mijë e 124 vota apo 4.97%.
Historikisht, që nga viti 2007, Peja ka ndërruar kursin e qeverisjes vetëm në vitin 2013, kur në raundin e dytë të zgjedhjeve të atij viti, Muhaxheri mposhti kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha. Që atëherë Peja ka njohur drejtimin e vetëm një njeriu: Gazmend Muhaxherit, i cili po përballet me balotazh për herë të parë për t’u rizgjedhur.
Zgjedhjet e vitit 2007: Gara mes AAK-së, PDK-së e ORËS
Të dhënat zyrtare për raundin e parë shfaqin këto rezultate: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 mijë e 203 vota apo 23%, Partia ORA me 6 mijë e 311 vota apo 17.69% dhe Partia Demokratike e Kosovës me 5415 vota apo 15.18%.
Kësisoj, raundi i dytë u zhvillua mes Ali Berishës të AAK-së dhe Gazmend Muhaxherit, që në atë kohë garonte për ORËN. Ali Berisha triumfoi me 18 mijë e 68 vota, duke e lënë mbrapa Muhaxherin me vetëm 8 mijë e 646 vota.
Zgjedhjet e vitit 2009: AAK konsolidohet me Ali Berishën
Raundi i parë i zgjedhjeve në vitin 2009 u mbyll me Ali Berishën si të parin e garës me 16 mijë e 51 vota apo 43.68% i pasuar nga Elmi Berisha i Lidhjes Demokratike të Dardanëve që në atë kohë siguronte 5 mijë e 845 vota apo 15.91%, duke e lënë krejt në fund Ilhami Gashin e PDK-së me 5 mijë e 152 vota apo 14.02%.
Në raundin e dytë, gara mes Berishëve u mbyll me Aliun që deklasonte Elmiun, duke fituar me shumicë absolute prej 15 mijë e 61 votash apo 76.8 pikë të përqindjes e duke lënë kështu pas Elmi Berishën që kishte vetëm 4 mijë e 549 vota apo 23.2%.
Zgjedhjet e vitit 2013: Muhaxheri ngadhënjen si i besuari i LDK-së
Edhe zgjedhjet e vitit 2009 në Pejë nuk u mbyllen në raundin e parë. Me një rezultat jo fort të ngushtë Muhaxheri, që tani po garonte më LDK-në, mbylli raundin e parë si fitues duke arkëtuar 17 mijë e 200 vota apo 40.97%, pasuar nga Ali Berisha i koalicionit AAK-LDD që mori 15 mijë e 629 vota apo 36.37% dhe nga Muhamet Halitaj i PDK-së me 6 mijë e 392 vota apo 15.23%.
Në raundin e dytë, gara u zhvillua mes Gazmend Muhaxherit dhe Ali Berishës, që morën 23 mijë e 211 vota apo 56.37% dhe 17 mijë e 967 vota apo 43.63%, respektivisht. Kështu, Muhaxheri mori në dorë timonin e komunës së Pejës për herë të parë.
Zgjedhjet e vitit 2017: Muhaxheri pa balotazh
Zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Pejë përfunduan pa nevojën e raundit të dytë. Kjo sepse Muhaxheri që në raundin e parë siguroi 22 mijë e 14 vota që i bie të përktheheshin në 50.23 pikë të përqindjes, duke lënë mbrapa Fatmir Gashin e AAK-së me 13 mijë e 980 vota apo 31.9% dhe Sabiha Shalën e PDK-së me 4 mijë e 105 apo 9.37%.
Zgjedhjet e vitit 2021: Muhaxheri 2X pa balotazh
Edhe në vitin 2021, Gazmend Muhaxheri mbylli garën si i pari me një fitore bindëse prej 23 mijë e 426 vota apo 60.49%, duke lënë mbrapa Gazmend Agushollin e VV-së me 8 mijë e 643 vota apo 22.32% dhe Rrustem Berishën e AAK-së me 6 mijë e 328 vota apo 16.34%.
Gara e balotazhit të 9 nëntorit 2025
Gazmend Muhaxheri hyn në garë me një epërsi të dukshme prej afro 20%, por me asnjë koalicion të konfirmuar zyrtarisht, kështu gara mbetet e hapur për çdo rezultat.
Në Pejë, LDK kërkon që ta mbajë për herë të katërt drejtimin e kësaj komune, ndërsa VV-ja tenton që të marrë udhëheqjen e këtij qyteti për herë të parë.









