Ndonëse mandati si Presidente zyrtarisht i ka përfunduar, Vjosa Osmani, do të gëzojë një sërë privilegjesh që ia mundëson shteti. Ligji për Presidentin, nga neni 18 deri në nenin 25, të cilët flasin për “Të drejtat e Presidentit të Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit” e rregullojnë këtë çështje.

Kësisoj, sipas nenit 19, pika 1 “Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë përqind (70%) e pagës të cilën e merr Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Pika 2 e po të njëjtit nen, thotë se “Presidenti i Republikës së Kosovës dhe familja e tij/saj pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës”.

Në pikën 3, specifikohet se “Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore”.

Gjithashtu, sipas Ligjit, “Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të ligjit bazik, ka të drejtë pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyreje, në pajisje për zyre, dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona”.

Vjosa Osmanit nuk do t’i mungojnë as truprojat. Ligji thekson qartë se “Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë në përcjellje zyrtare për tri vjet pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në pajtim me aktet e veçanta që i sjell Ministri i Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Zyrën e Presidentit te Republikës së Kosovës”.