Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka vizituar Luginën e Preshevës, ku është takuar me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, me të cilin ka diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Serbi.

“Diskutuam hapur për diskriminimin e vazhdueshëm shtetëror, me theks të veçantë në fushën e arsimit, ku mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe dhe mosnjohja e diplomave nga Kosova vazhdojnë të jenë pengesat më serioze për të rinjtë shqiptarë”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.

Ai tregoi se gjatë takimit kanë theksuar rëndësinë që Plani 7 Pikësh të zbatohet si dokument për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Luginë.

“Po ashtu, ngritëm shqetësimin për procesin e pasivizimit të adresave, mungesën e përfaqësimit të drejtë në institucionet publike dhe diskriminimin në ndarjen e fondeve për kulturë e media, ku shpesh anashkalohen iniciativat që punojnë në gjuhën shqipe”.

Në këtë kontekst, Rexhepi ka nënvizuar se mbështetja e Gjermanisë dhe faktorit ndërkombëtar “është thelbësore për të siguruar zbatim real të marrëveshjeve dhe ndalimin e praktikave diskriminuese”.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë të jetë zëri institucional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, potencoi ai.

Shqiptarët që jetojnë në Serbi përbejnë një nga komunitetet më të shtypura në Evropa.

Atyre, shteti serb, ua mohon të drejtat elementare. Madje, nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që është ngritur në Senatin Amerikan, por edhe në instancat më të larta të Bashkimit Evropian, është pasivizimi i adresave që institucionet serbe po ua bëjnë shqiptarëve etnikë, posaçërisht atyre në Medvegjë.