Deklarata e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se ka “informacione të besueshme” që presidenti amerikan Donald Trump së fundmi ka parandaluar një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës, ka ngjallur diskutime publike dhe akuza për manipulim të fjalëve.
“Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi. S’po flasim për vitin 2023 apo 2020, por për zhvillime shumë të fundit. KFOR-i është aty dhe ne po bëjmë punë të mrekullueshme në parandalim e mbrojtje”, ka thënë Osmani gjatë një ligjërate në Uashington.
Pas kësaj, emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, reagoi duke e akuzuar Osmanin për “manipulim të fjalëve” të Trump-it.
“Turp për Vjosa Osmanin për manipulimin e fjalëve të Trumpit”, shkroi Grenell në platformën X.
Grenell kujtoi se presidenti Trump ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.
“Osmani s’ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur ka ndodhur diçka e re është absurde”, ka thënë ish-Emisari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Lidhur me këtë çështje, Presidenca njoftoi se Osmani do të mbajë një konferencë për media në ditët në vijim, sapo të kthehet në Kosovë nga vizita e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Reagime pati edhe në Kosovë. Ish-deputeti Ilir Deda ka përmendur një sërë pyetjesh rreth trajtimit të kësaj situate nga institucionet. Ai ka pyetur nëse ka pasur mbledhje të Këshillit të Sigurisë, takime ndërmjet krerëve shtetërorë apo ndonjë koordinim me aleatët ndërkombëtarë, nëse vërtet ka ekzistuar një rrezik i tillë.
Deda kritikoi mungesën e përgjegjësisë së udhëheqësve, duke i akuzuar se nuk po e marrin me seriozitet funksionin që kanë.
“A jeni normal? A keni ndonjë përgjegjësi për këtë shtet? A e dini peshën dhe detyrat e funksioneve që i bartni, apo nuk i jepni pesë pare?”, shkroi Deda në Facebook.
Javëve të fundit, Donald Trump ka përmendur raportet mes Kosovës e Serbisë, duke pretenduar se kishte zgjidhur tensionet mes dy vendeve.
Në një varg deklaratash, ai ka përmendur se administrata e tij ka ndërhyrë në disa prej krizave ndërkombëtare, duke përfshirë Kosovën e Serbinë.
“Në javët e fundit, ne u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Pastaj do të merremi me Kongon dhe Ruandën”, ka thënë Trump.
Kur është pyetur për luftën në Ukrainë dhe pse ajo ende nuk është ndalur, Trump është shprehur se situata atje është shumë e ndërlikuar. Megjithatë, ka përmendur disa raste të tjera ku, sipas tij, SHBA-ja ka arritur t’i ndalojë konfliktet.
“E ndaluam Serbinë, e cila do t’ia mësynte [Kosovës]”, ka deklaruar ai, pa dhënë shumë detaje se për çfarë bëhej fjalë, derisa këtë e kishte pohuar edhe presidentja Osmani.









