Eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar ish-Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas intervistës së saj në emisionin Pressing në T7, ku adresoi kritika ndaj Kryeministrit Albin Kurti, partnerit të dikurshëm të saj.

Tema ku më së shumti deputetët e Vetëvendosjes e sulmuan Osmanin ishte ajo për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës – të cilat ishin vendosur në qershor të vitit 2023, për shkak të veprimeve të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti në Veri të Kosovës. Më 17 dhjetor 2025, Osmani nga Brukseli, pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, kishte deklaruar se është marrë vendimi për heqjen e masave ndëshkuese.

Në këtë drejtim, Osmani të martën tha se si Presidencë kanë punuar jashtëzakonisht shumë me secilin lider të BE-së që të hiqen masat.

“Si presidente kam punuar me secilin lider veç e veç, sidomos me ata që kanë qenë kundër heqjes të masave që të binden që atë natë mos të dalin kundër dhe në fund ka qenë unanimitet i plotë, vendim unanim të cilin e ka publiku Presidentja e Komisionit Evropian, por kjo ka qenë si rezultat i një pune të jashtëzakonshme që e kemi bërë si Presidencë që të binden shtetet veç e veç që nuk ka qenë faji i Kosovës”, pohoi Osmani.

Por, sipas deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci, Osmani jo vetëm që nuk ka kontribuar në heqjen e masave, “por ka qenë në të njëjtën linjë me Lajçakun, pra për tërheqje nga Veriu”.

“Nëse nuk ka harruar, Presidentja pastrimin e strukturave kriminale e quante ‘bixhoz’. Ky është kontributi i saj në lidhje me masat!”, shkroi ai në Facebook.

Për këtë çështje reagoi edhe kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, i cili në mandatin e kaluar ka qenë këshilltar i Kurtit.

Përmes një postimi në Facebook, Zylfaj tha se masat e BE-së nuk janë hequr vetëm sepse ish-Presidentja ka folur.

“Janë dhjetëra takime mes vendosjes së masave të padrejta dhe heqjes së tyre. Sikur të ishte çështje fjalësh, shpresoj që ish Presidentja i kishte hequr menjëherë, e jo më shumë se dy vite më pas”, theksoi ai.

Zylfaj potencoi se masat u vendosën nga ish-Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe të njëjtat u hoqën “kur pati zgjedhje të reja dhe tranzicion paqësor të pushtetit në katër komunat në Veri”.

“E pse pati pjesëmarrje në zgjedhje dhe tranzicion paqësor? Sepse kur i bojkotuan zgjedhjet, nuk u kthyen më pa zgjedhje të reja. E kur u kthyen jo vetëm që pati tranzicion paqësor, por edhe respekt për flamurin e Republikës së Kosovës, që valëvitet në çdo komunë sot”, shtoi.

Ai edhe ironizoi me Osmanin duke thënë se “edhe Kryeministri ka folur, por më shumë ka vepruar.

Osmani deklaroi edhe se dialogu me Serbinë nuk është pika më e fortë e Albin Kurtit, derisa adresoi kritika për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.

“Do t’u thoja të mendoheshin dy herë para se ta thonë një gjë të tillë. Rezultatet dihen. Të rimendohen para se të thuhet një gjë e tillë”, tha ajo.

Për këtë deklaratë i reagoi Adnan Rrustemi, deputet i VV-së. Ai theksoi se “nëse dialogu nuk ka qenë dhe nuk është pika më e fortë e Kurtit, atëherë pse pati nevojë presidentja të bëhej ‘gardiane’ e mbrojtjes së miqësisë me miqtë?”. “Apo pse pati nevojë që ajo të thoshte se Kurti po luan bixhoz me aleancat?”, vazhdoi pyetjet ai.

Këto deklarime, sipas Rrustemit “erdhën direkt si rezultat i qëndrimit të fortë në dialog dhe moskompromisit me shtrirjen e rendit në Veri”. “Apo ndoshta vetë presidentja do të duhej të mendonte dy herë kur i tha këto fjalë”.

Kritika për Osmanin pati edhe nga deputeti tjetër i VV-së, Enver Dugolli. Për dallim nga të tjerët, Dugolli kritikën e pati më të përgjithshme.

Fillimisht, Dugolli shkroi në Facebook se në 5 vjet në postin e Presidentes, Kryeministri Kurti nuk e ka thënë për asnjë fjalë të keqe për Osmanin.

“Nuk e bëri këtë as atëherë kur ajo i cilësonte veprimet e Qeverisë për shtrirjen e rendit, ligjit dhe sovranitetit në Veri si ‘lojë bixhozi’. Madje, as më herët, kur të tjerët e nxorën jashtë nga partia, ai nuk pati asnjë fjalë të keqe; përkundrazi, i ofroi bashkëpunim të sinqertë dhe e mbështeti për presidente”, shkroi ai.

Ai pyeti se prej nga ky mllef tani. “Kurti ende nuk ka thënë asnjë fjalë të keqe për Osmani. Pse vallë ky nxitim dhe cili është interesi në këtë moment? Pozitat vijnë e shkojnë, por bashkëpunimi dhe mirëbesimi janë virtyte që duhet të qëndrojnë”, potencoi ai.

Përplasjet mes Osmanit dhe Kurtit filluan pasi që Osmani nuk u propozua edhe për një mandat si Presidente.