Një sulm masiv rus me dronë dhe raketa dëmtoi objektet energjetike në tetë rajone të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke detyruar termocentralet bërthamore të ulin prodhimin, thanë zyrtarët dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) të shtunën.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj sektorit të energjisë dhe infrastrukturës së Ukrainës javët e fundit, duke shënjestruar stacionet e energjisë dhe nyjat hekurudhore.

Nuk ka pasur asnjë përparim në bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA këtë javë, të cilat synonin t’i jepnin fund konfliktit.

Ukraina operon tre termocentrale bërthamore që prodhojnë më shumë se gjysmën e energjisë elektrike të vendit, dhe IAEA tha se centralet ulën prodhimin për shkak të ‘veprimtarive të gjera ushtarake gjatë natës’.

Ushtria ukrainase tha se Rusia kishte lëshuar 653 dronë dhe 51 raketa kundër Ukrainës gjatë natës. Forcat ukrainase rrëzuan 585 dronë dhe 30 raketa, bëri të ditur ushtria.

Objektet e prodhimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes në rajonet Chernihiv, Zaporizhzhia, Lviv dhe Dnipropetrovsk u vunë në shënjestër të sulmit, tha ministria ukrainase për zhvillimin e komuniteteve dhe territoreve.