“Gjithçka ndryshoi këtë vit.”
“Të gjithë njerëzit ‘kryesorë’ në universitet tani po u bëjnë thirrje studentëve të shkojnë në luftë.”
“Në gjithë universitetin ka postera për forcat e UAV-ve fjalë për fjalë kudo.”
“Presioni është kolosal.”
Këto janë të gjitha citime nga studentë rusë në mesazhe direkte për CNN.
Mediumi amerikan nuk ka përmendur emrat e tyre apo universitetet, nga frika e represionit, por rrëfime të tilla, së bashku me një numër në rritje provash nga burime të hapura, sugjerojnë se Rusia po përshkallëzon në heshtje një fushatë për të joshur dhe për të ushtruar presion mbi studentët që t’i bashkohen forcave të saj të dronëve.
Kjo lëvizje rrezikon të krijojë tensione në sistemin arsimor rus dhe zbulon sfidat në rritje për Moskën në sigurimin e rekrutimeve për luftën katërvjeçare në Ukrainë.
Pavarësisht humbjeve në rritje në fushëbetejë, Kremlini ka arritur të shmangë një përsëritje të mobilizimit “të pjesshëm” katastrofik të vitit 2022, gjatë të cilit qindra mijëra burra u larguan nga vendi. Por ekspertët thonë se kjo fushatë e fokusuar te studentët është një nga disa shenjat se taktikat më agresive të rekrutimit po rikthehen.
Kjo është ndryshe nga përpjekjet e mëparshme: studentëve u premtohet një kontratë njëvjeçare, mundësia për të shërbyer larg vijës së frontit dhe për të mësuar aftësi të teknologjisë së lartë.
Megjithatë, ekspertë dhe juristë i thanë CNN se kjo ka gjasa të jetë një maskë për një kontratë standarde ushtarake pa afat dhe, duke qenë se shumë studentë janë skeptikë ndaj premtimeve, universitetet po përdorin detyrim dhe kërcënime për t’i bindur ata të regjistrohen.
Oferta për studentët
Duke analizuar faqet e universiteteve, rrjetet sociale dhe raportet mediatike lokale, si dhe duke folur me studentë në Rusi, CNN ka gjetur prova të një fushate të gjerë rekrutimi. Kjo duket se ka nisur seriozisht në janar, dy muaj pasi Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi krijimin e një dege të re ushtarake për sistemet pa pilot (dronët).
Universitetet filluan të publikojnë video dhe postera rekrutimi, madje edhe ligjërata me ushtarë dhe veteranë të “operacionit special ushtarak”.
“Studentët janë nën presion të madh… është e pakëndshme të dëgjosh vazhdimisht thirrje për t’u bashkuar me luftën. Të kuptosh se universiteti po bën gjithçka për të të dërguar në luftë është edhe më keq”, tha një student rus për CNN.
Sipas një baze të dhënash nga media studentore Groza, 246 universitete dhe kolegje në Rusi dhe territoret e pushtuara janë përfshirë në këtë fushatë.
Mes tyre janë edhe universitete prestigjioze si Universiteti Shtetëror i Shën Petersburgut dhe Shkolla e Lartë e Ekonomisë në Moskë.
Mesazhet janë të dizajnuara për të rinjtë. Një video rekrutimi i drejtohet lojtarëve të videolojërave: “Të thanë që po humbje kohë me lojëra. Por ka një vend ku përvoja jote është shumë e vlefshme.”
Disa postime thonë se lojtarët e “e-sports” kanë përparësi.
“Studentëve u premtohen male me ar… lehtësim borxhesh dhe vetëm një vit shërbim larg frontit”, tha një student tjetër.
Premtime dhe realitet
Avokati ushtarak Artem Klyga thotë se shumica e këtyre premtimeve janë mashtruese. “Vetëm paratë mund të jenë reale. Gjithçka tjetër është gënjeshtër,” tha ai.
Sipas tij, kontratat ushtarake nuk kanë afat të caktuar dhe mund të zgjasin deri në fund të mobilizimit.
“Kjo është një kurth,” tha aktivisti Sergey Krivenko. “Studenti nuk lirohet kur mbaron viti.”
Ekspertët paralajmërojnë se edhe premtimi për shërbim larg frontit nuk është i garantuar.
“Dështoni në shkollë, shkoni në luftë”.
Në disa raste, studentëve që rrezikojnë të dështojnë u ofrohet regjistrimi në ushtri si mënyra e vetme për të shmangur përjashtimin.
Një student tha se një e treta e grupit të tij u detyrua të nënshkruante kontrata për të ruajtur vendin në universitet.
Mesazhe nga një grup studentor tregojnë presionin:
“Ajo po i përjashton të gjithë që kanë edhe një provim të mbetur,” thotë një student.
Një tjetër paralajmëron: “Mos firmosni asgjë.”
Disa universitete madje kanë shkurtuar afatet për dorëzimin e detyrave për t’i bërë studentët më të cenueshëm.
Presion në rritje për rekrutim
Rusia deri tani ka mbuluar humbjet duke ofruar paga të larta dhe bonuse, por ka shenja se kjo nuk mjafton më.
Sipas vlerësimeve perëndimore, humbjet e Rusisë kanë tejkaluar ritmin e rekrutimit në muajt e fundit.
Ekspertët thonë se Kremlini po përgatitet për forma më të fshehta mobilizimi.
“Kjo tregon se Kremlini po përpiqet të zgjerojë fuqinë për rekrutime më detyruese se më parë,” tha analistja Kateryna Stepanenko.
Rreziku politik
Targetimi i studentëve dhe kthimi i universiteteve në qendra rekrutimi mbart rrezik politik për Kremlinin.
“Studentët e kuptojnë çfarë po ndodh dhe nuk e pëlqejnë këtë shtypje,” tha Klyga.
“Institucionet shtetërore janë bërë burim kërcënimi… duke dëmtuar të rinjtë që dje ishin nxënës shkolle,” tha një student.
Një tjetër shtoi: “Çdo vit që kalon duket më i frikshëm se i mëparshmi.”









