Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, është përplasur me anëtarët e Partisë Socialdemokrate (PSD), të cilët po mbanin një aksion simbolik para zyrave të LDK-së.

Para se Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, të fillojë fjalën e tij, Guri ndërhyri duke i thënë se Vetëvendosjen e kanë rritur pikërisht ata që po mbajnë aksione kundër partive opozitare.

Madje, ish-deputeti i LDK-së, e quajti PSD-në si “Proxy” të VV-së.

“Ju e keni rrit, vini tash këtu me u marr me opozitën. Ju kanë pagu… Proxy të Vetëvendosjes”, tha Guri.

Atij iu përgjigj Natyra Kuçi. “Hajde dalim në debat”, i kërkoi ajo, për të marrë këtë përgjigje nga Guri: “Me kanë me dal në debat, po ju veç 6 kandidatë”.

“Po mos ta nin, 6 jemi sa 120 të juaj, jemi shumë më të zotë se ju”, iu përgjigj sërish Kuçi, dhe i tha “hajt vjedhi do llajka”.

Guri e kundërshtoi këtë deklaratë, duke e akuzuar PSD-në se “vjedh” llajka. “Nuk jeni t’u pas me çka me u marr, ju ka shti Vetëvendosja me u marr me partitë opozitare. Turp, turp”, shtoi ai.

Pastaj, Kuçi i tha se “ti mezi s’po pret me ba koalicion me Vetëvendosjen”, derisa Guri ia rikujtoi se anëtarët e PSD-së kanë qenë në VV. “Ju i keni pru ata këtu ku janë”.

Në fjalën e tij, Molliqaj theksoi se sikleti i partive opozitare, “në veçanti i LDK-së, është i papërmbajtshëm”.

“Njerëz që blejnë vota në diasporë, njerëz që blejnë llajka, njerëz që i shkojnë Albin Kurtit…”, tha Molliqaj, për t’u ndalur nga Guri, i cili i tha se PSD janë “njerëz që e sulmojnë me zollë Kuvendin e Kosovës”.

Molliqaj kërkoi nga LDK-ja që t’i përgjigjet disa pyetjeve, të cilat potencoi se janë thelbësore.

“Çka kanë me ba Lidhja Demokratike pas zgjedhjeve? A janë për Qeveri me Kurtin? A janë për Qeveri pa Kurtin? A janë për President me Kurtin? A janë për President pa Kurtin?”, pyeti ai.

Ai deklaroi se “mashtrimi opozitar nuk guxon me shku tutje”. “Lypi votat për pushtet anti-Kurt e shko negocio me Kurtin. Këta janë ata që mendojnë që popullin duhet me manipulu, që popullin bën me rrejt”.

PSD-ja do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Lista e tyre do t’i ketë 6 kandidatë. Fushata e tyre është përqendruar në kritika ndaj opozitës.