Rusia ka nisur sulmin më të madh ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga pranvera, duke synuar kryesisht Kievin dhe rajonin përreth, kanë thënë autoritetet ukrainase.
Të paktën pesë persona u vranë gjatë sulmeve të natës në të gjithë vendin, përfshirë një fëmijë në rajonin e Kievit, tha Serhiy Koretskyi.
Sulmet prekën edhe furnizimin me energji elektrike, ndërsa kompania më e madhe private energjetike e Ukrainës, DTEK, tha se furnizimi me energji për 8 mijë banesa ishte rikthyer pas “një nate të vështirë” për kryeqytetin.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një prej objektivave ishte termocentrali i Trypilska-s, furnizuesi më i madh me energji elektrike për Kievin, raporton BBC.
Koretskyi shkroi në Telegram: “Që nga vera, praktikisht nuk ka pasur asnjë ditë pa sulme të armikut ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Megjithatë, një sulm masiv dhe i kombinuar i kësaj përmase ka ndodhur për herë të parë që nga përfundimi i sezonit të fundit të ngrohjes”.
Ukraina ka pritur një tjetër fushatë të zgjatur sulmesh ruse ndaj rrjetit energjetik të vendit. Kjo ka ndodhur çdo dimër që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Në total, 11 rajone ukrainase u sulmuan gjatë natës, ndërsa objektiva ishin edhe ndërtesa banimi, infrastruktura sociale, ndërmarrje civile dhe hekurudha, tha Koretskyi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se kishte pasur sulme ndaj infrastrukturës kritike në rajonet Zhytomyr, Mykolaiv, Kirovohrad dhe Rivne.
Të mërkurën, disa familje në rajonet e Kievit, Dnipropetrovskut, Donetskut, Sumy-t dhe Harkivit mbetën pa energji elektrike, tha Ministria e Energjisë e Ukrainës.
Operatori shtetëror i rrjetit elektrik, Ukrenergo, u bëri thirrje banorëve që të mos përdorin pajisje elektrike me konsum të lartë nga ora 10:00 deri në 16:00 sipas kohës lokale, pasi furnizimi me energji ishte më i ulët se zakonisht.
Në Kiev, banorët u zgjuan të mërkurën dhe gjetën qytetin të mbuluar nga një tym i dendur dhe mbytës, pas një nate të shoqëruar nga shpërthime. Alarmi ajror ishte ende aktiv dhe zhurma e largët e armëve të mbrojtjes ajrore dëgjohej në atmosferën e zymtë.
Banorëve në disa zona iu bë thirrje që të mbanin dritaret të mbyllura derisa tymi të largohej.
Mes personave të vrarë gjatë sulmeve të natës ishte edhe një fëmijë, trupi i të cilit u gjet nën rrënojat e një shtëpie, tha kreu i administratës së rajonit të Kievit, Timur Tkachenko.
Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, tha se gjithsej tre persona u vranë në kryeqytet, përfshirë një punëtor të një kompanie ukrainase të shërbimeve publike, i cili u vra në një ndërtesë magazine.
Një tjetër person u vra në rajonin jugor të Mykolaivit, tha ushtruesi i detyrës së kreut të rajonit, Heorhiy Reshetilov.
Dy persona të tjerë u vranë në rajonin verilindor të Sumy-t të martën, tha kreu i rajonit, Oleh Hryhorov. Ai shtoi se në një sulm tjetër ishte goditur edhe një shkollë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte kryer sulme masive gjatë natës ndaj objekteve në Ukrainë, vazhdon shkrimi i BBC.
Ajo tha se objektivat përfshinin termocentralin e Trypilska-s, i cili ndodhet rreth 40 kilometra nga Kievi, dhe pretendoi se termocentrali furnizonte me energji objektet e mbrojtjes ukrainase.
Centrenergo, operatori i termocentralit, konfirmoi se objekti ishte dëmtuar në një sulm rus dhe se po vlerësonte përmasat e dëmeve.
Ushtria ruse shtoi se gjatë natës kishte interceptuar më shumë se 380 dronë ukrainas mbi disa rajone, përfshirë Moskën.
Ndërkohë, ushtria ukrainase tha se kishte goditur një numër objektivash ushtarake ruse, përfshirë një depo dronësh në rajonin e pushtuar të Donetskut, në lindje të Ukrainës.
BBC raporton se Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë një pjesë të madhe të Donetskut.
Në fushën e betejës, Korpusi i Tretë i Ushtrisë së Ukrainës tha se gjatë kësaj jave kishte rimarrë kontrollin e disa vendbanimeve pranë qytetit të Lymanit në Donetsk, si pjesë e një kundërofensive të quajtur “Operacioni Vivaldi”. Zelensky vizitoi trupat në këtë zonë të mërkurën.
Por, në pjesët e tjera të frontit, situata mbetet kryesisht e pandryshuar, me të dyja palët që nuk kanë arritur të shënojnë përparime të rëndësishme.









