Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur akuzave për mos-emërimin në pozitën e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të një propozimi të Partisë Demokratike e Kosovës.

E para e shtetit ka deklaruar se raste të tilla, kur ka propozime më shumë se sa ka anëtarë në KQZ, janë të padefinuara dhe të paqarta për Presidentin tash e sa kohë, ndërsa ka shtuar se kjo është edhe arsyeja pse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për opinion.

“Meqenëse kjo çështje deri më tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese kam kërkuar qe ta sqarojë atë mirëpo ky rast është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore jo mbi të njëjtën që është ngritur mbi rastet e mëparshme, qoftë nga ish presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin President dhe shpresoj që më në fund Gjykata ta sqarojë”, ka deklaruar Osmani.

Sipas Osmanit po “luftohet” për një vend mes PDK-së dhe VV-së në KQZ ndaj edhe kërkohet udhëzim nga Gjykata Kushtetuese se si të veprohet tutje.

“Pra, nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar edhe një i VV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre dhe meqenëse aty është veç një vend nuk i zen dy atëherë duhet me pyet Gjykatën se si të veprohet tutje.”

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë propozime të partive politike parlamentare dhe Kryetari. Gjashtë nga anëtarët emërohen pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një emërohet nga deputetët e komunitetit jo shumicë serb, dhe tre të tjerët nga deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serbe.

Vetëvendosja i ka propozuar tre anëtarë. Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se ka propozuar dy anëtarë – Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn – ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga një.

Presidentja Osmani kishte kërkuar nga partitë parlamentare që t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së më 9 mars. Ato kanë pasur kohë që të bëjnë propozimet e tyre deri më 16 mars, dhe kështu Presidentja do të kishte kohë 5 ditë për të emëruar apo jo të propozuarit.

Emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më larg se 60 ditë nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.

Presidentja Osmani i ka kërkuar sqarime Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke thënë se partitë kanë bërë propozime më tepër seç duhet.