Gazetari gjerman Micheal Marten ka reaguar pas paralajmërimeve për një padi të mundshme ndaj punës së tij nga Presidenca e Kosovës.

Në një postim në rrjetin social X, ai shkruan se kurrë më parë nuk është paditur, pavarësisht se ka trajtuar tema të ndjeshme si oligarkë rusë, kriminelë lufte serbë dhe figura të botës së krimit ndërkombëtar.

“Jeto dhe mëso. Jam në gazetari prej 30 vitesh; kam jetuar dhe punuar në vende të vështira si Rusia, Afganistani apo Turqia, duke shkruar për oligarkët rusë, kriminelët e luftës serbë, kontrabandistët malazezë të cigareve, rebelët kurdë dhe kryekomandantë lufte afganë, pa u paditur kurrë. Por tani… Presidentja e një vendi evropian njofton një padi të mundshme kundër punës sime. Në rregull. Kjo të paktën do të sigurojë që njerëzit që përndryshe nuk do ta kishin vënë re kurrë tekstin për Presidenten Osmani, tani patjetër do ta vënë re. Efekti Streisand, bëje magjinë tënde.” Ka shkruar Martens në platformën X.
 
Ai e ka shpërndarë edhe njëherë artikullin e gazetës gjermane, për Presidentën Vjosa Osmani, që e kishte nxitur këtë të fundit të reagonte me “kërcënim” për ndjekje ligjore.

Në reagimin e Presidencës në platformën X, këshilltari i presidentes, Rinor Nuhiu, i kishte cilësuar shpifje pretendimet e gazetarit gjerman se Vjosa Osmani po tenton të marrë edhe një mandat si e vetëshpallur “Kandidatja e Trump”.