Izraeli ka nisur një sulm ushtatak ndaj Iranit, duke e shtyrë Lindjen e Mesme drejt një lufte të re dhe duke zbehur edhe më shumë shpresat për një zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjes së gjatë bërthamore të Teheranit me Perëndimin.

The New York Times, duke cituar një zyrtar amerikan, ka raportuar se edhe sulmet amerikane ndaj Iranit kanë filluar. 

Një burim ka thënë për Reuters se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, nuk ndodhej në Teheran dhe ishte transferuar në një vend të sigurt.

“Ata thjesht nuk duan, nuk duan të thonë fjalët kyçe: ‘Ne nuk do të kemi armë bërthamore’”.

Sulmi, që erdhi pasi Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë ajrore 12-ditore në qershor, pason paralajmërimet e përsëritura amerikano-izraelite se do të godisnin sërish nëse Irani do të vazhdonte programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike.

“Shteti i Izraelit nisi një sulm preventiv ndaj Iranit për të eliminuar kërcënimet ndaj Shtetit të Izraelit,” tha ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

Një zyrtar i mbrojtjes izraelite tha se operacioni ishte planifikuar prej muajsh në koordinim me Washingtonin dhe se data e nisjes ishte vendosur javë më parë.

Ushtria izraelite njoftoi mbylljen e shkollave dhe vendeve të punës, me përjashtim të sektorëve thelbësorë, si dhe ndalimin e hapësirës ajrore publike. Izraeli mbylli hapësirën e tij ajrore për fluturimet civile dhe autoriteti i aeroporteve u kërkoi qytetarëve të mos shkonin në asnjë nga aeroportet e vendit.

SHBA dhe Irani rifilluan negociatat në shkurt me synimin për të zgjidhur përmes diplomacisë mosmarrëveshjen shumëdekadëshe për programin bërthamor të Teheranit dhe për të shmangur kërcënimin e një përballjeje ushtarake që mund të destabilizonte rajonin.

Megjithatë, Izraeli këmbënguli që çdo marrëveshje amerikane me Iranin të përfshinte çmontimin e infrastrukturës bërthamore të Teheranit, jo vetëm ndalimin e procesit të pasurimit, dhe loboi në Washington që në bisedime të përfshiheshin edhe kufizime për programin raketor të Iranit.

Irani tha se ishte i gatshëm të diskutonte kufizime për programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, por përjashtoi lidhjen e kësaj çështjeje me raketat.

Teherani gjithashtu deklaroi se do të mbrohej ndaj çdo sulmi.

Autoritetet atje paralajmëruan vendet fqinje që strehojnë trupa amerikane se do të kundërpërgjigjej ndaj bazave amerikane nëse Washingtoni do të godiste Iranin.

Në qershor, SHBA iu bashkua një fushate ushtarake izraelite kundër instalimeve bërthamore iraniane, në veprimin ushtarak amerikan më të drejtpërdrejtë ndonjëherë kundër Republikës Islamike.