Në një mëngjes përvëlues në fillim të korrikut, me temperaturat që pritej të kalonin 40°C, një turmë në Nanterre, periferi e Parisit, u vërsul mbi dyert e një super-marketi Lidl derisa ato u shembën. Njerëzit e djersitur nuk ishin huliganë, por blerës të dëshpëruar, që shtyheshin me njëri-tjetrin për kondicionerin e fundit portativ. Në një Lidl tjetër, dy burra u përleshën. Ndërkohë, politikanët francezë u përfshinë në një debat të tyre: sa kondicionerë janë tepër?
Pothuajse në të njëjtën kohë, në qytete të Pakistanit dhe Bangladeshit, protestuesit bllokuan rrugët dhe rrethuan zyrat e energjisë elektrike pas javësh ndërprerjesh të rrymës, ndërsa temperaturat arrinin deri në 45°C. Në Chandpur të Bangladeshit, në fund të qershorit, banorët dyshohet se sulmuan një punonjës të Bordit të Elektrifikimit Rural. Në Indi, ndërprerjet e energjisë gjatë një vale të nxehti në maj shkaktuan protesta të ngjashme në disa fshatra, ku banorët ankoheshin se nuk mund të ndiznin as ventilatorët gjatë natës. Edhe në vende si Iraku dhe Sri Lanka kanë shpërthyer trazira për shkak të mungesës së energjisë së nevojshme për t’u freskuar.
Teksa temperaturat ekstreme po i vënë në provë durimin e njerëzve dhe rrjetet elektrike, përplasjet për kondicionerët – ose për energjinë që i furnizon – po kërcënojnë të tronditin politikën. Ky është një problem tipik modern: para vitit 1960, kondicionerët pothuajse nuk ekzistonin as në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sot ndryshimet klimatike i kanë bërë pothuajse të domosdoshëm në pjesën më të madhe të botës. Në nëntor, samiti klimatik COP30 në Belém të Brazilit i shpalli teknologjitë e ftohjes, si kondicionerët, “infrastrukturë thelbësore”, njësoj si uji, energjia dhe kanalizimet.
Nga të gjitha fenomenet ekstreme të motit, temperaturat e larta janë bindshëm më vdekjeprurëset. Sipas një modeli të publikuar në revistën mjekësore The Lancet, ndërmjet viteve 2000 dhe 2019, rreth 489 mijë njerëz vdisnin çdo vit si pasojë e të nxehtit. Kondicionerët kanë rezultuar një zgjidhje jashtëzakonisht efektive. Një tjetër studim në The Lancet vlerëson se, në fillim të viteve 2020, ata parandalonin rreth 190 mijë vdekje në vit vetëm te personat mbi 65 vjeç. Në SHBA, studiues të National Bureau of Economic Research vlerësojnë se përdorimi i kondicionerëve në banesa ka ulur me rreth 75% rrezikun e vdekjes gjatë ditëve shumë të nxehta përgjatë shekullit XX. Pothuajse e gjithë kjo rënie ndodhi pas vitit 1960, kur familjet amerikane filluan t’i përdornin gjerësisht.
Kjo mund të të shtyjë drejt një përfundimi të thjeshtë politik: më shumë kondicionerë për të gjithë, kudo. Por në praktikë nuk është kaq e lehtë. Në vendet e pasura, politikanët përplasen për klimën dhe efikasitetin energjetik. Në vendet e varfra, debati zhvillohet rreth çmimit të energjisë elektrike dhe rrjeteve të amortizuara. Ndërkohë, kudo në botë, qeveritë përballen me një publik që gjithnjë e më shumë pret – madje kërkon – të ketë qasje në ajrin e kondicionuar.









