Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në rrjetin e tij social Facebook ka shpërndarë disa fotografi të projektit infrastrukturor në Rrugën A, me një përshkrim ngacmues për Vetëvendosjen.
Sipas tij, ai postim është i pakuptueshëm për militantët e Vetëvendosjes.
“Fillimisht RENDERI! Tani BAGERI! Dhe tash PROJEKTI. Kujdes: Ky postim është i pakuptueshëm për militantët e Vetëvendosjes!”, shkroi Rama.
Në të njëjtën frymë ia ka kthyer shefi i asamblistëve të VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, por kësaj radhe me një supozim se Përparim Ramën e pret arrestimi.
“Fillimisht HETIMI! Tani INTERVISTIMI! Dhe në fund ARRESTIMI! Kujdes: Ky postim ka të bëjë me ngjarje aktuale në qytetin tonë”, shkroi Sveçla.
Përparim Rama është intervistuar për dy orë rresht në Prokurorinë Speciale këtë të premte, më 30 tetor, në Prishtinë.
PSRK-ja ka thënë se Rama është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në lidhje me rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”.









