Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët janë në luftë me Iranin, kanë vazhduar sulmet ndaj njëri tjetrit edhe në orët e para të së martës. Ushtria izraelite tha se po shënjestron “infrastrukturën e regjimit iranian” në Tehran, si dhe objektiva të Hezbollah-ut në Beirut, një ditë pasi njoftoi se ka plane për të paktën tre javë të tjera lufte.
Irani kreu sulme gjatë natës ndaj Izraelit, duke treguar se ende ka kapacitet për goditje me rreze të gjatë, shkruan Reuters. Ai gjithashtu shënjestroi Emiratet e Bashkuara Arabe, ku sulmet çuan në mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore dhe një dron goditi një objekt nafte në Fujairah, një port kyç për eksportet e naftës.
Të hënën, aeroporti ndërkombëtar i Dubait u mbyll për disa orë; operacionet e ngarkimit të naftës në Fujairah u ndalën, ndërsa aktivitetet në fushën e gazit Shah në Abu Dhabi u pezulluan pas sulmeve me dronë.
Irani tha se sulmi amerikan gjatë fundjavës ndaj objektivave ushtarake në ishullin Kharg – një qendër kryesore e eksporteve të naftës – ishte nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe paralajmëroi se do të godasë çdo vend nga i cili kryhen sulme të tilla.
Po ashtu, Irani paralajmëroi se do të shënjestrojë objektet industriale amerikane në Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje banorëve pranë tyre të largohen.
Raketa dhe të paktën pesë dronë shënjestruan edhe ambasadën amerikane në Bagdad, sipas burimeve të sigurisë irakiane, në atë që u cilësua si sulmi më intensiv që nga fillimi i luftës. Nuk u raportuan të lënduar.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se sulmet hakmarrëse të Iranit ndaj fqinjëve, përfshirë Katarit, Arabisë Sahudite, Bahrainit dhe Kuvajtit, ishin të papritura.
“Ata nuk duhej të godisnin gjithë këto vende në Lindjen e Mesme”, tha Trump. “Askush nuk e priste. U befasuam”.
Megjithatë, Trump ishte paralajmëruar se një sulm ndaj Iranit mund të shkaktonte hakmarrje ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, sipas burimeve amerikane, shkruan Reuters.
Lufta ka shkaktuar të paktën 2 mijë viktima në Lindjen e Mesme që nga 28 shkurti, përfshirë rreth 200 fëmijë në Iran, sipas ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araqchi.
Në një ceremoni varrimi në Iran, Marzia Rezaei vajtoi për djalin e saj Erfan Shamei, i cili humbi jetën në një shpërthim në një kamp stërvitor ushtarak pak ditë para se të kthehej në shtëpi.









