Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka publikuar të hënën tri raporte që trajtojnë lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe gjuhën e urrejtjes në hapësirën mediatike të Kosovës, duke ngritur shqetësime për kushtet në të cilat ushtrohet gazetaria në vend.
Në hapje të prezantimit, kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se raportet pasqyrojnë me të dhëna konkrete sfidat me të cilat përballen gazetarët.
“Raportet tregojnë me statistika dhe zhvillime reale situatat me të cilat ballafaqohen gazetarët në Kosovë, me sulme të vazhdueshme online, që vijnë shumë shpesh nga politika, por edhe me sulme të vërteta fizike, që vijnë si pasojë e një klime të rënduar të të bërit gazetari”, tha Rexha.
Ai shtoi se rekomandimet e raporteve u bëjnë thirrje institucioneve dhe akterëve të përfshirë që të ndalin praktikat që pengojnë punën e gazetarëve dhe që sulmet ndaj tyre të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë.
Njëri nga raportet, “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2025”, konstaton se megjithëse Kosova ka një bazë ligjore relativisht të avancuar për mbrojtjen e lirisë së medias, zbatimi i saj mbetet problematik. Raporti veçon vonesat në qasjen në dokumente publike, ndikimin politik në institucione rregullatore, mungesën e mbrojtjes kundër padive abuzive dhe presionet politike e ekonomike ndaj mediave.
Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 69 raste sulmesh ndaj gazetarëve, ndërsa është evidentuar edhe rritje e gjuhës së urrejtjes dhe retorikës delegjitimuese nga figura publike dhe politike.
Ndërkaq, Raporti i Monitorimit të Medias dhe Gjuhës së Urrejtjes për periudhën mars-maj 2026 identifikon 138 raste të gjuhës së urrejtjes dhe diskursit të dëmshëm në media dhe rrjete sociale. Sipas gjetjeve, 71.7 për qind e rasteve përbëjnë diskurs politik armiqësor dhe polarizues, ku kundërshtarët politikë portretizohen si “tradhtarë”, “armiq” apo “kërcënime kombëtare”.
Raporti i tretë, i hartuar nga Lëvizja FOL, analizon sigurinë e gazetarëve në periudhën 2021-2026 dhe tregon se sulmet, kërcënimet dhe pengimi i punës së gazetarëve vazhdojnë të mbeten problem i qëndrueshëm.
Në prezantim foli edhe Jerome Bouyjou, Shef i të Drejtave të Njeriut në UNMIK dhe Përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i cili bëri thirrje për hetime të shpejta të sulmeve ndaj gazetarëve dhe për angazhim më të madh institucional në mbrojtjen e lirisë së medias.
Sipas gjetjeve të tri raporteve, siguria e gazetarëve vazhdon të mbetet një sfidë serioze, ndërsa autorët vlerësojnë se mungesa e ndjekjes efektive ligjore të rasteve ndikon drejtpërdrejt në lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për informim.









