Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kërkoi krijimin e një koalicioni për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por kërkesa e tij duket se ra në vesh të shurdhër të hënën, pasi aleatët si Japonia dhe Australia thanë se nuk planifikojnë të dërgojnë anije ushtarake në Lindjen e Mesme për të shoqëruar anijet në këtë rrugë ujore jetike, shkruan Reuters.

Me luftën SHBA-Izrael kundër Iranit që ka krijuar trazira në gjithë Lindjen e Mesme dhe ka tronditur tregjet globale të energjisë në javën e saj të tretë, Trump të dielën këmbënguli se vendet që varen shumë nga nafta e Gjirit Persik kanë përgjegjësi të mbrojnë ngushticën përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e energjisë botërore.

“Po kërkoj që këto vende të vijnë dhe të mbrojnë territorin e tyre, sepse është territori i tyre”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, gjatë udhëtimit nga Florida drejt Uashingtonit. “Është vendi nga ku ata marrin energjinë”.

Trump tha se administrata e tij tashmë ka kontaktuar shtatë vende, por nuk i identifikoi ato. Në një postim në rrjetet sociale gjatë fundjavës, ai shprehu shpresën që Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut, Britania dhe vende të tjera të marrin pjesë.

Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, një mbështetëse e fortë e Trump-it, tha të hënën se vendi i saj – i kufizuar nga kushtetuta që heq dorë nga lufta – nuk ka plan të dërgojë anije ushtarake për të shoqëruar anijet në Lindjen e Mesme, nga ku Japonia siguron 95% të naftës së saj.

“Ne nuk kemi marrë asnjë vendim për dërgimin e anijeve shoqëruese. Po vazhdojmë të shqyrtojmë se çfarë mund të bëjë Japonia në mënyrë të pavarur dhe brenda kuadrit ligjor”, tha Takaichi në parlamentin japonez.

Edhe Australia, një tjetër aleate kryesore e sigurisë së SHBA-së në Indo-Paqësor dhe që gjithashtu mbështetet shumë në karburantet e prodhuara nga nafta e Lindjes së Mesme, tha se nuk do të dërgojë anije ushtarake për të ndihmuar në rihapjen e ngushticës.

“E dimë sa e rëndësishme është kjo, por nuk është diçka që na është kërkuar ose ku po kontribuojmë”, tha Catherine King, anëtare e kabinetit të kryeministrit Anthony Albanese, në një intervistë për transmetuesin shtetëror ABC.

Trump i tha Financial Times të dielën se pret që Kina të ndihmojë në rihapjen e ngushticës para takimit të planifikuar me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin në fund të këtij muaji, dhe se mund ta shtyjë vizitën nëse Pekini nuk ofron ndihmë.

“Mendoj se edhe Kina duhet të ndihmojë sepse merr 90% të naftës së saj nga këto ngushtica”, tha Trump. “Mund ta shtyjmë vizitën”, shtoi ai, duke iu referuar udhëtimit të tij nëse Kina nuk ofron mbështetje në Gjirin Persik.

Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga Reuters.

Trump gjithashtu rriti presionin ndaj aleatëve evropianë për të ndihmuar në mbrojtjen e ngushticës, duke paralajmëruar se NATO përballet me një të ardhme “shumë të keqe” nëse anëtarët e saj nuk i vijnë në ndihmë Uashingtonit.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të hënën për forcimin e një misioni të vogël detar në Lindjen e Mesme, por nuk pritet të vendosin për zgjerimin e rolit të tij në Ngushticën e Hormuzit, shkruan tutje Reuters.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e diskutoi nevojën për rihapjen e ngushticës me Trump dhe me kryeministrin kanadez, Mark Carney, ndërsa Koreja e Jugut tha se do ta shqyrtojë me kujdes kërkesën e Trump.