Ushtria e Shteteve tw Bashkuara tw Amerikws ka identifikuar katër nga ushtarët e parë amerikanë të vrarë në luftën kundër Iranit, ndërsa administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se konflikti në përshkallëzim do të çojë në më shumë viktima amerikane.

Nga gjashtë vdekjet ushtarake amerikane deri më tani, katër ushtarët ishin pjesëtarë të një njësie nga Iowa të Rezervës së Ushtrisë Amerikane. Ata humbën jetën të dielën kur një dron goditi një objekt ushtarak amerikan në Port Shuaiba, Kuvajt, njoftoi ushtria amerikane të martën, shkruan Reuters.

Pentagoni bëri të ditur se katër ushtarët ishin nga 20 deri në 42 vjeç dhe shërbenin në Komandën e 103-të të Mbështetjes nga Des Moines, Iowa, pjesë e operacionit global të logjistikës dhe furnizimit të ushtrisë.

Ushtria i identifikoi katër ushtarët e Rezervës së Ushtrisë Amerikane si:

  • Kapiten Cody A. Khork, 35 vjeç, nga Winter Haven, Florida
  • Rreshter i klasit të parë Noah L. Tietjens, 42 vjeç, nga Bellevue, Nebraska
  • Rreshtere e klasit të parë Nicole M. Amor, 39 vjeçe, nga White Bear Lake, Minnesota
  • Rreshter Declan J. Coady, 20 vjeç, nga West Des Moines, Iowa
Ushtarët amerikanë të vrarë

Shumica e ushtarëve kishin histori shërbimi jashtë vendit. Khork ishte dislokuar në Arabinë Saudite në vitin 2018, në Guantanamo Bay, Kubë, në vitin 2021 dhe në Poloni në vitin 2024. Amor ishte dislokuar në Kuvajt dhe Irak në vitin 2019. Tietjens kishte dy dislokime të tjera në Kuvajt, në vitet 2009 dhe 2019.

Coady, i cili u promovua pas vdekjes nga specialist në rreshter, ishte regjistruar në Rezervën e Ushtrisë vetëm në vitin 2023.

Presidenti Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë paralajmëruar se konflikti me Iranin do të rezultojë me më shumë vdekje të ushtarëve amerikanë, ndërsa Teherani po kundërpërgjigjet ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha të martën se Irani ka lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe mbi 2 mijë 000 dronë në sulmet e tij hakmarrëse në gjithë Lindjen e Mesme deri më tani.

Rreziqet për forcat amerikane në Lindjen e Mesme u diskutuan gjatë një seance me dyer të mbyllura me ligjvënësit të martën nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth, Gjenerali Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, shkruan Reuters.

“Ata na thanë në atë sallë se do të ketë më shumë amerikanë që do të vdesin – se nuk do të jenë në gjendje t’i ndalin këta dronë”, tha senatori demokrat Chris Murphy pas takimit.

Objekti në Kuvajt ku ndodhën katër vdekjet ishte i mbrojtur me mure betoni kundër shpërthimeve, por nuk kishte një çati të fortifikuar, u thanë dy zyrtarë amerikanë Reuters-it.