“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, po thotë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, veç pak pasi Përparim Rama tha të kundërtën.
Gashani ka shkruar se ajo çfarë ka publikuar Përparim Rama nuk pasqyron tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.
Madje, Gashani e ka quajtur kryetarin e Prishtinës fëmijë të pakënaqur dhe qaraman.
“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të kryetarit të Prishtinës, pa e përmendur faktin këtu se letra për trajtimin e punëve e shqetësimeve mes institucionesh partnere – jo për publikime e teatralitet në Facebook – i është drejtuar edhe atij, jo vetëm titullarëve të tjerë të institucioneve, që ai, në stilin e fëmijës së pakënaqur e qaraman kur vijnë mysafirët, tenton t’i sulmojë”, ka shkruar Gashani.
Ndonëse ende nuk ka veprime dhe kanë mbetur edhe tri vite, Gashani u shpreh i sigurt se këto lojëra do t’i organizojë Kosova.
“Lojërat Mesdhetare janë një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike për Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre. Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, shkroi tutje Gashani.









