Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se çështja e Ligjit për Gjykatën Speciale është bërë shumë joserioze. Ai i ka ftuar deputetët që të jenë më të përgjegjshëm dhe t’i japin epilog.
“Kjo çështja me ligjin tashmë është bërë shumë joserioze. Tash e sa ditë që nga kthimi e krejt çka po ndodh deri më tani është joserioze shumë. Është një çështje shumë me rëndësi, shpresoj dhe i ftoj deputetët të jenë më të përgjegjshëm, ta mbyllin këtë dhe t’i japin një epilog çështjes së ligjit sa më shpejt, për shkak se është shumë e rëndësishme për proceset që vijnë. Ata që e kanë iniciuar kanë besuar dhe besojnë që kjo mund ta ndihmojë atëherë duhet që sa më shpejtë të ecet me këtë ligj dhe të mbyllet kjo farë loje deri më tani e panevojshme”, ka thënë Limaj për Ekonomia Online.
Limaj ndër të tjera thotë se vendi ka probleme të shumta ekonomike sociale dhe se fokusi është duke u zhvendosur nga shumë tema të ekzistencës, duke theksuar se po humbet shumë energji në gjëra të kota.
“Ne kemi probleme të shumta ekonomike, sociale dhe me proceset në vend. Fatkeqësisht, është duke u zhvendosur fokusi nga shumë tema të ekzistencës, të zhvillimit të përditshmërisë në vend. Po humbet shumë energji në gjëra të kota. Ajo që unë pres është mbyllja e këtij ligji dhe pastaj të kthehen punët. Qeveria dhe njerëzit që kanë përgjegjësi të fillojnë t’i qasen zhvillimit ekonomik të vendit, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe bashkëbisedimit me akterët, të cilët ndihmojnë në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit tonë”, tha Limaj.
Në seancën e së enjtes, Ligji për Specialen, me propozim të Partisë Demokratike të Kosovës, u fut si pikë fundit e rendit të ditës. Por, kjo seancë u shty për të premten nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi që deputetët u vonuan për më shumë se gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.
Votimi i ligjit nuk u bë as të premten. Seanca u shtye sërish. Arsyeja ishte mungesa e kuorumit.
Të enjten, ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, tha se kanë arritur marrëveshje për ta votuar Ligjin me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, por tregoi se nuk janë pajtuar për procesin.
Kështu, ligji pritet që të miratohet ashtu siç ka qenë, pra të rrëzohet vetoja e Presidentes dhe më pas të bëhet amendamentimi i tij.
Ligji për Specialen ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor. Por, me kërkesë të PDK-së, ai u kthye në Parlament për rishqyrtim nga Presidentja Justina Shiroka-Pula.
Ky ligj ishte iniciuar nga PDK-ja, pasi që Specialja dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burg. Jakup Krasniqi po ashtu me 25. Kadri Veseli me 18. Dhe Rexhep Selimi me 13.
Vendimi u kundërshtua nga qytetarët e Kosovës. Ata për 21 ditë me radhë protestuan kundër këtij aktgjykimi. Slogani i tyre ishte “Jo në Emrin Tim”.









