Edhe takimi i radhës në mes të Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidxhiku, ka përfunduar pa marrëveshje. Kurti ka thënë se do të vazhdojnë bisedimet, derisa e ka quajtur pozitive faktin që kanë biseduar për emra të përveçëm për herë të parë.
“Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm. Pra, atyre kritereve dhe parimeve udhëzuese, për të cilat jemi dakorduar herën e kaluar lidhur me vlerat, meritat dhe kontributin kombëtar, shtetëror, profesional, qytetar, të personaliteteve, figurave të ndryshme të shoqërisë dhe të vendit tonë, ua kemi bashkëngjitur edhe emrat konkretë, të cilët i kemi diskutuar dhe ky është një hap i rëndësishëm përpara”, ka thënë Kurti për gazetarë pas takimit.
Ai theksoi se tash negocimi “është shumë i vështirë, sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht”.








