Refuzimi i projektit të gazit amerikan nga Qeveria e Albin Kurtit mund të ketë pasoja që shkojnë përtej sektorit energjetik, duke prekur edhe raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kosovës në fushën e sigurisë.
Kështu të paktën ka vlerësuar analisti politik Agon Maliqi në një intervistë për VOX Kosova.
Sipas tij, mungesa e bashkëpunimit në një projekt që konsiderohet prioritet strategjik për SHBA-të mund të pos marrëdhënieve mes dy vendeve mund të cenojë edhe mbështetjen jetike të SHBA-së për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Është humbje e mundësive në kuptimin e potencialit politik, për mbështetje politike që SHBA-ja ka ndaj Kosovës, pra, kur nuk bashkëpunon në një dimension strategjik me SHBA-të, që është politik për ta, nuk mund të presësh mbështetje politike. Dhe e treta kisha me thanë, që është e rëndësishme për Kosovën, është çështja e mbështetjes ushtarake që ka qenë e vazhdueshme nga çdo administratë amerikane, por në një kohë kur jemi në këtë tranzicion 10-vjeçar të FSK-së dhe kur kemi varësi shumë prej SHBA-ve për forcimin e kapaciteteve të FSK-së, blerjen e armatimeve. Do të thotë, edhe kjo pjesë, ndoshta cilësia e kësaj marrëdhënieje mund të cenohet nga mungesa e vullnetit për bashkëpunim në një politikë që është prioritare për SHBA-të e që është energjia”, tha Maliqi.
Gjithsesi, sipas tij pasoja më e madhe për Kosovën mund të jetë humbja e rëndësisë strategjike për aleatin kryesor të vendit.
“Pasojë e mjaftueshme, besoj, për Kosovën do të jetë që të bëhet e parëndësishme dhe e padobishme për një aleat për të cilin kemi nevojë për sfidat që i kemi përpara. Bashkëpunimi energjetik me SHBA-të nuk duhet të shihet si bashkëpunim vetëm për interesin e SHBA-ve, është interes i Kosovës. Ky bashkëpunim gjithashtu nuk duhet të shihet vetëm nga prizmi i strategjisë energjetike të Kosovës, por edhe nga prizmi i strategjisë së sigurisë kombëtare. Kosova ka nevojë që t’i mbajë SHBA-të të angazhuara në rajon, përmes infrastrukturës ekonomike amerikane”, u shpreh ai.
Sipas Maliqit, përfshirja në projekte strategjike me SHBA-të nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje ekonomike apo energjetike, por edhe si pjesë e interesit afatgjatë të Kosovës për të ruajtur dhe forcuar partneritetin me aleatin e saj më të rëndësishëm.








