Fishekzjarrët me të cilat Lëvizja Vetëvendosje po ndriçon qiellin e Prishtinës në orët e mesnatës mes datave 07 e 08 qershor, po shënojnë kulmin e kremtës për një fitore me minus 140 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të 2025-ës.

Zyrtarisht, partia e Albin Kurtit fitoi 42.9 për qind të votave.

Por, pas shkëlqimit të dritave, shifrat tregojnë një realitet tjetër.

Përqindja e popullatës në Kosovë që e deshën sërish Albin Kurtin e Vetëvendosjen në pushtet, është ndjeshëm më e vogël.

Sipas rezultateve preliminare, Vetëvendosje mori rreth 299 mijë vota, nga 1 milionë e 959 mijë e 962 qytetarë me të drejtë vote në Kosovë.

Albin Kurti fitoi vetëm 40 për qind të 36 përqindëshit të pjesëmarrësve në zgjedhje, një nga daljet më të ulta historikisht në Kosovë.

Në një përllogaritje të thjeshtë, del se Albin Kurti u refuzua nga 85 për qind e popullatës.

Atë, në krye të Qeverisë, tani e duan vetëm 15.26 për qind e personave që mund të votojnë.

1 milion e 660 mijë qytetarë, nuk ia dhanë më besimin për të udhëhequr me Kosovën. Afër 1 milion as që e morën mundin të dalin të votojnë.

Kosova sot është një realitet ku shumicën në popull e ka ndalur populli për vete, derisa politikës i ka dhënë krejt pak.

Bllokadat e shumta, përçarjet, fushata agresive, tensioni që s’ndalet dhe punë që s’kryhen kanë shkaktuar humbje të përgjithshme të qytetarëve në politikën në përgjithësi.

Prandaj do të jetë e vështirë për këdo të thirret në emër të popullit, kur populli masovikisht i ka refuzuar të gjithë.