Rasti i vrasjes së gruas në Pejë nga kunati i saj, e cila i kishte paralajmëruar organet e rendit se mund të vinte një situatë të tillë nëse nuk ndërmarrin masa, ka bërë që të ketë reagime të shumta dhe të kërkohet përgjegjësi se pse shteti nuk e mbrojti qytetaren e vet.

Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se duhet të ketë llogaridhënie dhe dorëheqje.

“Mbrëmë, Arlinda u vra. U vra nga kunati i saj. Ajo la pas një dëshmi tronditëse për mënyrën se si dështimi i institucioneve mund të marrë jetë njerëzish. Arlinda është gruaja e tetë e vrarë këtë vit”, shkroi Çitaku në Facebook.

“Kërkohen llogaridhënie dhe dorëheqje. Nga ata që kishin detyrë ta mbronin Arlindën. Nga secili në zinxhirin e përgjegjësive, roli dhe veprimet e të cilit duhet të shqyrtohen”, shtoi.

Derisa përmend faktin se shteti nuk i ofroi mbështetje përkundër kërkesës së saj, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar llogari nga institucionet.

“Për këtë rast LDK kërkon hetim të plotë dhe të pavarur të çdo veprimi e mosveprimi në mbrojtje të saj. Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur. Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

“Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë. Për të gjallë, mbrojtje nuk pati! Tani i detyrohemi drejtësi; me gjithë zhvlerësimin paralajmërues që në letër na e dha. Dhe çdo gruaje tjetër që sot jeton me frikë, i detyrohemi veprim. Sot, para se një tjetër kërkesë për ndihmë të na mbetet në duar si dëshmi e një jete që nuk e mbrojtëm”, shtoi.

Përgjegjësi për rastin e vrasjes së gruas në Vitomoricë të Pejës kërkoi edhe ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryejë punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Mbi të gjitha, është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”, shkroi Haradinaj në Facebook.