Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend propozimin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Këtë, të ditur e ka bërë Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media.

“Projektligji kërkon që akuzat të kenë një lidhje konkrete me pretendimet për të cilat është krijuar kjo Gjykatë. Duhet të këtë një lidhje të qartë me misionin për të cilin është krijuar ky mekanizëm. Projektligji përcakton që kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, të transferohet në Kosovë. Pra drejtësia vazhdon”, tha ai.

“Dhomat e Specializuara nuk mbyllen. Projektligji nuk e shuan Specialen, por e përcakton që të merret me pretendimet konkrete për çka është krijuar dhe që lidhen me pretendimet e Dick Martyt. Për krime të tjera të luftës dhe vepra që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë, përgjegjësinë e marrin institucionet e drejtësisë në Kosovë. Nëse një rast nuk i përket juridiksionit të saj, ai rast transferohet në Kosovë dhe procedura vazhdon këtu. Çdo akuzë duhet të justifikohet veçmas. Nuk mjafton një lidhje e përgjithshme me luftën apo UÇK-në”, shton.

“Për herë të parë parashihet mundësia që organizatat ndërkombëtare profesionale të monitorojnë punën e Dhomave, respektimin e të drejtave të të akuzuarve, kohëzgjatjen e procesit, kushtet e paraburgimit dhe standardet e gjykimit të drejtë. Ato raportojnë para Kuvendit dhe para publikut dhe nuk ndërhynë në punën e gjyqtarëve”.

Sa i përket rastit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, sipas propozimit të PDK-së, nëse Apeli e kthen rastin në rigjykim, procedura duhet të vazhdojë në Kosovë.

“Për rastet që sot janë në process vendoset një rregull kalimtar. Procedurat aktuale vazhdojnë deri në vendimin e Apelit. Por nëse Apeli vendos rigjykim, ai rigjykim nuk vendoset sërish para Dhomave të Specializuara, por zbatohet juridiksioni i ri dhe çështja transferohet në Kosovë”, tha ai.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kërkoi mbështetjen e partive të tjera për këtë projektligj.

Të mërkurën e 16 shtatorit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u dënuan me 81 vjet heqje lirie në total nga Dhomat e Specializuara në Hagë.