Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në vend se të dalë në një video-adresim pa pyetje, duhet të përballet me gazetarët dhe me pyetjet e vështira për çështjen e punës së Dhomave të Specializuara.
“Përgjegjësia është edhe personalisht juaja, znj. Trendafilova. Dilni përballë gazetarëve, mos u fshihni siç keni bërë qe dy vite. Përgjigjuni pyetjeve të vështira. Jepni llogari për mënyrën se si e keni drejtuar këtë gjykatë. Kritikat nuk mund t’i zhvlerësoni me etiketën e “dezinformimit”, ndërsa vetes t’i rezervoni të drejtën për të folur pa u sfiduar”, shkroi Çitaku.
Siç shprehet ajo, nën drejtimin e Trendafilovës, Specialja “e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi”.
“Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese”, shton.
Në një video-adresim këtë të martë, Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, tha se gjykatësit në Hagë janë të pandikuar dhe se të njëjtëve s’mund t’u tregohet se si t’i interpretojnë ligjet.









