Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje ka numrin më të madh të kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin.

Kjo është bërë e ditur në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili ka verifikuar listat e kandidatëve të partive politike.

Gzim Shala nga IKD tha se nga lista e Vetëvendosjes, 13 kandidatë kanë probleme me ligjin.

“Nga këta 902 kandidatë, rezulton se 25 prej tyre janë të përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje, i bie që 2.77 për qind e totalit të listës së kandidatëve janë persona që kanë dënime të formës së prerë ose aktakuza aktive. 15 prej tyre kanë aktakuza aktive, ndërkaq 13 të tjerë janë persona që në të kaluarën kanë pasur dënime penale. Janë evidentuar edhe tre kandidatë që, përveç aktakuzës aktive, kanë edhe dënime penale. Sa u përket subjekteve politike, numrin më të madh të kandidatëve që kanë probleme me ligjin e mban Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 13 kandidatë”, deklaroi Shala.

Nga ky verifikim ka dalë se partitë e tjera në vend kanë të përfshirë nga dy ose tre kandidatë që kanë probleme me ligjin.

“AAK dhe Lista Serbe kanë nga tre kandidatë që kanë probleme me ligjin, KDTP-ja me dy kandidatë, ndërsa katër subjektet e tjera kanë nga një kandidat që ka probleme me ligjin. Sa u përket kapitujve të veprave penale për të cilat kandidatët në fjalë ose janë dënuar, ose akuzohen, dominojnë veprat e korrupsionit”, tha Gzim Shala.