Me simbole të Republikës së Kosovës, kryetarët e katër komunave Veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – nga radhët e Listës Serbe – partisë që dirigjohet nga Serbia – kanë dhënë betimin si kryetarë në seancat konstituive.

Kryetari i ri i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviç, pas betimit ka thënë se përpara e presin “sfida”, duke shtuar se “Kuvendi po merr përfaqësuesit legjitimë në kuvend”.

“Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë qytetarët tanë që kanë dhënë votën për ne. Periudha para nesh nuk do të jetë e lehtë, do të jetë me sfida. Të ruajmë të paktën paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, tha Miloviç.

Në Mitrovicë të Veriut, është betuar Milan Radojeviç si kryetar i ri, ndërkaq Milosh Peroviç e ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zubin Potokut.

Peroviçi në betimin e tij u shpreh se do ta ushtrojë detyrën e tij “me ndershmëri dhe besnikëri”.

“Unë, si kryetar Milosh Peroviç, deklaroj se do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri, në mënyrë që të krijoj kushte për jetë të sigurt dhe të qetë në Komunën e Zubin Potokut”, theksoi Radojeviç.

Është betuar edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Zoran Todiç. Betimet e kryetarëve të komunave veriore u bënë duke respektuar simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Kryetarët nga Lista Serbe do t’i zëvendësojnë ata shqiptarë – Erden Atiqin në Mitrovicë të Veriut, Izmir Zeqirin në Zubin Potok, Ilir Pecin në Zveçan dhe Lulzim Hetemin në Leposaviq.

Këta katër ishin zgjedhur kryetarë në këto komuna me shumicë serbe në prill të vitit 2023, pasi që në nëntor të 2022-së serbët, të shtyrë nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtarë, kishin dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa i kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit.

Ardhja e kryetarëve shqiptare në komunat me shumicë serbe kishte nxitur tensione në atë pjesë të Kosovës. Në maj të 2023, kur këta kryetarë, me asistencë të Policisë së Kosovës, ishin instaluar në zyrat e tyre, kishte pasur protesta të dhunshme të serbëve lokalë.

Si pasojë e këtyre protestave, ishin lënduar dhjetëra ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR – kryesisht italianë dhe hungarezë.