Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që t’i ketë rreth 20 kandidatë për deputetë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Kështu ka deklaruar anëtari i Kryesisë së LDK-së, Armend Zemaj, të mërkurën.
“Mund të jetë rreth 20 anëtarë të rinj nga ajo që propozon, besoj që do të jenë emra që i përshtaten edhe profilit të së djathtës, LDK-së dhe emra të cilët do të sjellin vota të reja në fitorën e LDK-së”, ka thënë Zemaj në emisionin Five në Dukagjin.
Më 5 maj, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, deklaroi se ka dakordim që të garojnë bashkë me Osmanin.
“Ajo çka është diskutuar dje në kryesi dhe është paraqitur nga Kryetari i LDK-së është një bashkëpunim parimor dhe një bashkëpunim ideologjik i përafërt me LDK-në, duke ruajtur subjektivitetin e secilit në këtë garë zgjedhore brenda listës së LDK-së”, tregoi Zemaj.
I pyetur se si është pritur bashkëpunimi me Vjosa Omanin në LDK ai theksoi se ka “reflektim pozitiv”, por tha se ka edhe të tillë që nuk e harrojnë çfarë ka ndodhur që nga viti 2021.
“Në aspektin procedural është përgjegjësi e Kryetarit të LDK-së, sepse i besohet krijimi i listës bashkë me degët dhe kryesinë, Kryetarit i besohet platforma edhe partneriteti me koalicione ose me individë si në këtë rast. Në çështjen e brendshme të LDK-së ka reflektim pozitiv, por ka edhe zëra që nuk e harrojnë atë çfarë ka ndodhur prej 2021 e deri në zgjedhjet e fundit nacionale”, deklaroi ai.
Megjithatë, ai theksoi se interesi i përbashkët i tyre është “ta ndryshojmë këtë qeverisje”.









