Pas lirimit nga spitali, zëvendësministri ka dhënë versionin e tij për ngjarjen e së enjtes në Skenderaj, ku i njëjti po pretendon se është sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Sipas Mehanit, fakti që Lushtaku nuk po e pranon aktin e kryer, është një qyqar.

“Me premisat e mendësisë patriarkale me të cilat zoti Lushtaku po funksionon, nëse po i thotë vetit burrë, asi burri kështu primitiv, kur e bën aktin duhet me pranu. Pra, unë e pashë postimin e tij dhe, dorën në zemër, është një qyqar, qyqar i madh, sepse e ke bërë veprën dhe thuaj: po, dhe këto janë arsyet”, tha Mehani.

Ndër të tjera, në një deklarim për RTV Dukagjini, ai e tregoi situatën e ndodhur në një kafiteri të Skenderajt.

“E ka thënë edhe deputetja Arjeta Fejza, që ka qenë aty prezent. Kemi shku me pi kafe dhe, meqenëse ishte musafir, shkuam në pjesën më të bukur, më të frekuentuar të qytetit me pi një kafe. Kemi qenë duke pirë kafe dhe, në ndërkohë, zonja Fejza më thotë se po e sheh Sami Lushtakun, por nuk e kam kthy kokën. Në ndërkohë e kam pa zotin Lushtaku, më është drejtu me një fjalë ‘ke thënë…’ dhe nuk e ka përfundu fjalinë, dhe më ka goditë me telefon në kokë, e mandej më kanë goditur me një mjet tjetër”, ka deklaruar Mehani për Dukagjinin.