Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar lirimin e ish policit, Arbnor Spahiu, i cili u mbajt në paraburgim për disa muaj në Serbi nga autoritetet gjyqësore atje.

MPJD-ja, nëpërmjet një njoftimi për media, ka ritheksuar se akuzat e ngritura ndaj ish policit kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara.

“MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë kundër z. Spahiu kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë”, është thënë në njoftim.

Nga MPJD është thënë po ashtu se vet lirimi i Spahiut konfirmon se pretendimet serbe nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të marrë fund.

“Lirimi i z. Spahiu konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin në fjalë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë është praktikë që duhet të marrë fund. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës falënderon të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të këtij rasti dhe mbetet e përkushtuar që të mbrojë çdo qytetar të Republikës së Kosovës kudo që gjendet”.