Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka thënë se mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet do të bashkohen të premten në Tiranë, në protestën kundër Gjykatës Speciale, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, diaspora e çdo cep i trojeve shqiptare — mijëra zemra do të bashkohen këtë të premte, më 17 tetor, ora 17:00, për të kërkuar njëzëri DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT”, shkroi Balla në Facebook.
“LIRIA KA EMËR”, theksoi ai.
Protesta në Tiranë ka gjetur mbështetje të gjerë gjithandej. Është mbështetur edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Po ashtu, përkrahje i kanë dhënë edhe tifo grupet: Dardanët dhe kuq e zinjtë.
Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









