Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se të martën, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës, do të vizitojë në Hagë ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, teksa u ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën kundër Gjykatës Speciale që do të mbahet sot në Shkup, duke kritikuar procesin gjyqësor në Hagë.
“Këtë të martë, një ditë para se të fillojë zyrtarisht fushata jonë, jam shumë i lumtur që do ta takoj presidentin Thaçi dhe kryetarin Kadri Veseli… Shpresoj shumë që kjo do të jetë vizita ime e fundit atje sepse pas pak muajsh ata do të jenë të lirë”, ka thënë Hamza nëpërmjet një video-mesazhi pak minuta para fillimit të protestës në Shkup.
Hamza nuk la pa kritikuar Gjykatën Speciale, për të cilën tha se po kryen gjykime një-etnike e që po gjykon luftën dhe lirinë e Kosovës.
“Shqiptarët kudo që jetojnë janë shumë të shqetësuar nga kjo padrejtësi. Shteti ynë është shumë-etnik por të gjitha gjykimet e kësaj gjykatë janë një-etnike. Lufta jonë e drejtë po gjykohet. Liria jonë po gjykohet”, ka shtuar i pari i PDK-së.