Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, as takimi me Ricardo Gutierrez nga Federata e Gazetarëve Evropianë nuk e bindi ta njohë klimën armiqësore ndaj mediave në vend.
Madje, siç pritet, ai edhe e ka arsyetuar situatën.
Krejt kjo u kuptua nga një takim mes këtyre të dyve, detaje nga i cili dha Gutierrez, i cili tha se gjendja është më shqetësuese sesa e priste.
“Ne u takuam me Kryeministrin dje për gati dy orë, Kryeministrin dhe disa nga zyrtarët e zyrës së tij. Dhe nga këndvështrimi im, përfundimi më shqetësues nga ky takim është fakti që Kryeministri nuk po e njeh këtë klimë armiqësore; përkundrazi, ai po e justifikon atë”, tha Gutierrez në një konferencë për media.
Deklaratat e shumta të akterëve të Vetëvendosjes kundër shumicës së mediave kosovare, me gjasë, i ka parë edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Prandaj, i ka kërkuar Kurtit që t’i dënojë ato. As për këtë nuk e bindi dot Kurtin.
“E dini, ‘nëse gazetarët sulmohen, mbase kjo ndodh sepse ndonjëherë edhe politikanët sulmohen’. Pra, është si të justifikosh këtë lloj gjëje dhe ai refuzoi qartë të dënonte, sepse ne i kërkuam atij, i kërkuam të dënonte çdo deklaratë publike kundër gazetarëve. Ai refuzoi ta bënte këtë dhe, nga këndvështrimi im, ky është një nga përfundimet më shqetësuese të këtij takimi. Pse e them këtë? Sepse unë e shoh këtë si një mungesë totale të vullnetit politik për të përmirësuar situatën. Ne e pyetëm disa herë për propozimet e tij për të përmirësuar situatën, por asgjë nuk erdhi nga ana e tij, pavarësisht deklaratës zyrtare që ai publikoi pas takimit duke thënë se ishte gati të bashkëpunonte me ne dhe të konsideronte propozimet. Unë mund t’ju them se gjatë takimit nuk pati asnjë propozim për të përmirësuar situatën”, tha Gutierrez.
Këto deklarata Gutierrez i dha në konferencën e së mërkurës, ku Misioni Faktmbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve ka shpalosur të gjeturat e punëtorisë dyditore me përfaqësues të mediave, ku sipas tyre liria e mediave është më e keqe sesa në vitet e kaluara.









