Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ftuar shqiptarët që më 12 shtator, t’i bashkohen “Marshit për Liri” në Prishtinë, që do të mbahet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të gjithë në Prishtinë më 12 Shtator. LIRI për ÇLIRIMTARËT”, ka shkruar Balla në Facebok, derisa ka shpërndarë një video mobilizuese ku i bëhet thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në marsh.
“Marshi për Liri” është organizuar nga platforma “Liria ka Emër”. Ai do të mbahet katër ditë para se Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale të shpall vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Katërshja e UÇK-së, akuzohet nga Specialja për krime të pretenduara lufte. Prokuroria ka kërkuar 45 vjet për secilin ndaj tyre.
Nga ana tjetër, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për secilën pikë të aktakuzës.









