Më 5 korrik, duke filluar nga ora 18:00, në Kroaci, nën moton “Liri për Çlirimtarët”, do të mbahet protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Kështu ka njoftuar Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, në një konferencë për media të hënën.
Protesta do të mbahet në qytetin e Zarës në Kroaci.
“Ne e dimë që jemi në fund të procesit në Hagë, ku shpresojmë që më 20 korrik do të jetë një favorizim i joni apo do të jetë në favorin tonë gjithë ajo punë që është bërë nga mbrojta dhe nga ne. Ne do ta mbajmë një protestë ditën e diel më 5 korrik në ora 18:00 të organizuar nga shqiptarët në Kroaci dhe nga kroatët”, theksoi Gucati.
Kreu i OVL-UÇK-së u ka bërë thirrje mërgimtarëve që jetojnë në Kroaci, por edhe ata të cilët janë në pushime në Kroaci apo kudo tjetër që të bashkohen në protestën në mbështetje të krerëve të UÇK-së.
“Protesta do të mbahet në parkun e Zarës, ku unë shpresoj se aty do të marrin pjesë edhe arbëreshët se janë dy lagje arbëreshe me vite e vite që jetojnë në Zarë, ku është edhe kërkese e tyre që kanë kërkuar edhe ata ta mbajnë një protestë për çlirimtarët tonë”, potencoi ai, duke shpresuar se kjo do të jetë protesta e fundit, “me besimin se çlirimtarët do të kthehen në Kosovë”.
Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.
Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve. Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhej të jepet brenda 90 ditëve. Por, vendimi është shtyrë për 20 korrik dhe mund të shtyhet përsëri nëse kërkon trupi gjykues.
Krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.
Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.
Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.
Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.









