Të martën, duke filluar nga ora 18:00, në sheshin “Skënderbej”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, do të marshohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ditë para shpalljes së vendimit ndaj tyre.
Marshi është thirrur nga Forumi Rinor Shqiptar. Ata i kanë ftuar të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë dhe kanë thënë se ky organizim është sensibilizues në mbështetje të krerëve të UÇK-së në prag të verditit ndaj tyre.
“Nesër ftojmë të gjithë shqiptarët të mblidhemi për ti dhënë një mesazh gjykatës se ata të cilët u vunë në shërbim të lirisë nën emblemën e UÇK-së nuk ka gjykatë që i gjykon sepse UÇK-ja është e pastër”, thuhet në reagimin e tyre.
Nga Shkupi, ata kanë thënë se “do të përcjellim zërin tonë të fuqishëm të solidaritetit dhe mbështetjes”.
UÇK-ja, theksojnë ata, është pjesë e historisë dhe lirisë së shqiptarëve. “Luftëtarët e lirisë meritojnë vetëm drejtësi. Të gjithë bashkë për drejtësi. Të gjithë bashkë për çlirimtarët!”.
Ky aktivitetet organizohet një ditë para 16 shtatorit, ditës kur Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpall aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.









