Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ofruar t’u nënshtrohet një sërë kushteve për lirim nga paraburgimi në Gjykatën Speciale, në rastin ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë. Në mesin e tyre, është një gatishmëri për garanci prej 50 mijë eurove si parakusht për pushim të paraburgimit. Gjithashtu, Thaçi përmes mbrojtjes së tij ka propozuar edhe dorëzimin e të gjitha dokumenteve të udhëtimit në Gjykatë.

Kjo është lista e plotë e garancive të ofruara nga avokatët e Thaçit:

a) Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, përveç nëse autorizohet për këtë nga një trup gjykues kompetent i Dhomave të Specializuara të Kosovës;

b) Thaçi do t’ia dorëzojë Regjistrit pasaportën e tij dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, duke përfshirë vizat dhe çdo dokument tjetër identiteti që mund të përdoret për udhëtim – kjo shtrihet edhe në çdo pasaportë të re ose dokument udhëtimi që lëshohet nga autoritetet e Kosovës, ose nga ndonjë autoritet tjetër, pas nxjerrjes së këtij vendimi; nëse prania e Thaçit kërkohet në selinë e Gjykatës, Regjistri do t’ia sigurojë atij pasaportën vetëm për atë qëllim; pasaporta e tij do të ridorëzohet pas kthimit të tij në Kosovë;

c) Thaçi do të japë një adresë në të cilën do të banojë në Kosovë për kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore dhe do të kërkojë leje nga Gjykata para çdo ndryshimi të vendbanimit;

d) Thaçi do t’i sigurojë Regjistrit një garanci financiare si parakusht për lirimin e tij, në formën e një transferimi monetar në shumën prej 50.000 eurosh në Regjistër;

e) Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çdo lloji dhe nëpërmjet çdo mjeti, me bashkë të akuzuarit e tij (Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi);

f) Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çdo lloji dhe nëpërmjet çdo mjeti, me çdo person që ai e di se është dëshmitar në këtë ose në ndonjë rast tjetër para KSC-së;

g) Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), me çdo person për të cilin pretendohet në Aktakuzën e Ndryshuar të Konfirmuar se ka marrë pjesë ose ka ndihmuar sjelljen penguese në këtë rast;

h) Thaçi nuk do të diskutojë, përveç me anëtarët e caktuar të ekipit të tij mbrojtës, thelbin e çështjes së tij me askënd, duke përfshirë anëtarët e ngushtë të familjes, dhe do të njoftojë çdo person që bën pyetje lidhur me çështjen e tij se ai i nënshtrohet një ndalimi të tillë nga Gjykata;

i) Thaçi do të përmbahet nga bërja, drejtpërdrejt ose tërthorazi (për shembull nëpërmjet anëtarëve të familjes), e çdo deklarate publike për mediat dhe/ose në rrjetet sociale lidhur me Gjykatën, Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe/ose çdo procedurë të Gjykatës;

j) Thaçi do të vihet në dispozicion për një kontroll javor verifikimi nga Policia e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Regjistri;

k) Thaçi do të dorëzohet në kujdestarinë e Gjykatës, nëse urdhërohet kështu, dhe do të marrë pjesë në çdo seancë siç kërkohet nga Gjykata: çdo mosparaqitje para Gjykatës sipas urdhrit, do të çojë në konfiskimin e garancisë financiare në nënparagrafin (d) dhe lëshimin e menjëhershëm të një urdhër-arresti;

l) Thaçi do ta informojë Regjistrin për adresën ku do të banojë gjatë kohës që ndodhet në territorin e Shtetit Pritës me qëllim të pjesëmarrjes në seancat gjyqësore dhe do t’u përmbahet çdo kufizimi të lëvizjes së tij në territorin e Shtetit Pritës, që mund t’i vendoset atij nga Shteti Pritës gjatë periudhës së qëndrimit të tij atje;

m) Thaçi do ta respektojë klasifikimin e vendimit për lirimin e tij dhe nuk do ta publikojë, zbulojë ose diskutojë ndryshe përmbajtjen e tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me asnjë person, duke përfshirë çdo të akuzuar në Objektet e Paraburgimit dhe familjen e tij, me përjashtim të avokatit të tij dhe anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës, derisa vendimi të jetë bërë publik me urdhër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake ; dhe

n) Thaçi do t’i përmbahet çdo vendimi, urdhri ose udhëzimi tjetër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake (STJ) dhe Regjistrit.

DOKUMENT:

Screenshot
Screenshot

Në rastin “12”, kundër Thaçit rëndojnë 11 akuza për pengim të drejtësisë. Në të njëjtin rast janë të akuzuar edhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj.