Pesë vagonët që u riparuan në Serbi ishin stacionuar në Han të Elezit kur puna me ta përfundoi në Zrenjanin.

Por, tenderi i dhënë prej 423 mijë eurosh nuk mjaftonte që ata të ktheheshin në stacionin në Gurëz, në Ferizaj.

Për transportin e tyre deri në këtë stacion, TrainKos shpalli tender të ri dhe rreth 63 mijë euro kontratën e fitoi kompania Sigma Crane & Transport SH.P.K.

Kontrata u nënshkruar me 26 maj 2025.

Kontrata për riaprimimin e vagonëve në Serbi u dha në muajin maj 2024, pak muaj pas sulmit në Banjskë nga terroristët serbë, të udhëhequr nga krimineli Milan Radojçiq dhe të lidhur ngushtë me pushtetin në Beograd.

Kur këta vagona u lëshuan në qarkullim, në korrik 2026, ministrja Rizvanolli i prezantoi me pompozitet. Por e fshehu vendin e riparimit.

Një punëtor i TrainKos, Asdren Ademi, i komentoi në postimin në Facebook, duke kërkuar që “t’i tregojnë popullit që janë riparuar në Serbi”.

Menjëherë ndaj tij kishin nisur masa ndëshkimi nga kryeshefi i TrainKos, Agron Statovci.

Kontrata për riaprimimin e vagonëve ka ngjallur dyshime të mëdha në procedura.

Ministrja Artane Rizvanolli është përpjekur ta kamuflojë pak situatën.

“Përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi. Në fakt, sipas ligjit aktual të Prokurimit Publik, ndërmarrja publike nuk mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve. Operatori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët”, tha ajo të martën.

Por, nga dosja e tenderit u kuptua se nënkontraktori ishte kriter i obligueshëm dhe shteti e dinte qysh në muajin prill ose maj se riparimi do të ndodhte në Serbi.

Në kontratën me Profitech nuk shkruan askund kush është nënkontraktori – në këtë rast Sinvoz në Serbi.

Në Rregulloren për Prokurimin Publik është i ndaluar nënkontraktimi gjatë ekzekutimit të kontratës.

Nga deklarimet e ministres del se punëkryesi kryesor, në realitet i gati 100% të punëve, ka qenë Sinvoz në Serbi.

Rregullorja e Prokurimit specifikon qartë se nënkontraktori nuk bën të tejkalojë 40% të vlerës së kontratës, punëve dhe mjeteve financiare.

TrainKos, çuditërisht, ka thënë se nuk e paska ditur se vagonët do të shkojnë në Serbi.

Në një reagim të martën, ata shkruajnë sikur ta kishin ditur vetëm pasi e ka marrë vesh edhe publiku.

“Pas deklaratave të publikuara sot në media, ndërmarrja ka kontaktuar operatorin “Profitech Sh.P.K.” për të marrë zyrtarisht informatat në vijim:

  1. Cila është arsyeja që vagonët janë dërguar në Zrenjanin për riparim?
  2. A është dashur të merret leje prej dikujt për dërgimin e tyre atje?
  3. A ka qenë e mundur të evitohet dërgimi i tyre atje?

Operatori Ekonomik ka njoftuar ndërmarrjen “TrainKos” si në vijim:

  1. Sepse vetëm ata mund t’i rregullojnë këta vagonë.
  2. Ne njoftojmë doganën paraprakisht dhe kalojnë përmes Maqedonisë për në Serbi.
  3. Jo, nuk ka pasur mundësi, pasi që nuk mund të rregullohen diku tjetër”, kanë shkruar nga Termokos.

Por, në të vërtetë, TrainKos e dinte qysh në vitin 2024 se ata ishin në Serbi, sepse për këtë kishte dërguar atje një komision mbikëqyrës të punëve.