Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ditën e ka nisur me linçim ndaj deputetëve që refuzuan bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje për Bekim Sejdiun si President.

Madje, ai i akuzoi tërthorazi se ishin pikërisht ata që në vitin 2020 e dërguan LDK-në në 12%.

Më e rënda, ai po pretendon që grupe të tjera të partive po ndikojnë te rrjedhat e partisë së tij.

“Por, siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%, po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj! Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses”, shkroi Lumir Abdixhiku.

Ai u është drejtuar me pyetje se për çfarë po rrahin gjoks dhe çfarë paskan shpëtuar.

“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion. Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdokush. Për këtë, ja dora!”, tha ndër të tjera ai.