Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se Fatmir Limaj do ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të gjerë politik dhe institucional.
Përmes një njoftimi në facebook, Hamza tha se me Limajn i lidhin vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin, derisa shtoi se Kosova sot ka nevojë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve.
“Këto janë vlera që i ndajnë edhe elektorati ynë dhe ai i NISMA-s”, shkroi Hamza.
Ai theksoi se mbështetja e Limajt përbën një hap drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional, qeverisës dhe partiak, me synim stabilitetin, zhvillimin dhe forcimin e Kosovës.
Hamza gjithashtu e falënderoi Limajn për, siç u shpreh, korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët politik.
Kujtojmë që para se KQZ-ja të i certifikonte listat e partive politike, Fatmir Limaj kishte kërkuar me letër publike të bëhej pjesë e listës së PDK-së, çka ishte refuzuar nga Partia Demokratike e Kosovës pas një mbledhjeje të Këshillit të partisë.









